Mijëra persona kanë marrë pjesë në një protestë të paplanifikuar në Hong Kong pasi autoritetet njoftuan se e kanë ndaluar përdorimin e maskave nga protestuesit. Ky vendin ka hyrë në fuqi në mesnatë.
Kryetarja e Hong Kongut, Carrie Lam, e shfrytëzoi ligjin e emergjencës për t’i shtypur protestat. Vendimi i qeverisë për ndalimin e maskave vjen pas dhunës gjatë protestave të datës 1 tetor, kur një polic e qëlloi me armë zjarri një protestues.
Raportohet se personi i qëlluar nga policia është vetëm 14 vjeç dhe ndodhet në gjendje serioze shëndetësore.
Protestat shpërthyen menjëherë pas dhënies së njoftimit për ndalimin e maskave. Shumë njerëz dolën para kohës nga puna për t’u bërë pjesë e protestës së paplanifikuar.
Për shkak të rrezikut nga dhuna, shërbimi i trenave është ndërprerë për tërë ditën e shtunë. Për këtë arsye, shumë njerëz janë detyruar të ecin në këmbë nga puna.
Protestuesit bënë thirrje që të gjithë të vendosin maska për ta kundërshtuar vendimin e qeverisë. Analistët thonë se qeveria po përpiqet të bëhet edhe më autoritare me këto veprime.
Kryetarja e qytetit tha se u detyrua ta përdorë ligjin e emergjencës për shkak se protestuesit e dhunshëm po e shkatërrojnë vendin dhe se nuk mund të lejojë që situata të përkeqësohet edhe më shumë, shkruan “BBC”.