Qeveria estoneze ka thirrur në detyrë 1.700 ushtarë rezervë për një ushtrim të paparalajmëruar, pjesë e të cilit do të jetë edhe vendosja e një rrethoje me tehe përgjatë kufirit 40-kilometërsh me Rusinë, pas krizës me Emigrantë në Bjellorusi.
BE-ja e ka akuzuar Bjellorusinë se ka sjellë me aeroplanë mijëra emigrantë nga Lindja e Mesme dhe Afrika dhe i ka shtyrë ata drejt vendeve anëtare të BE-së e NATO-s – Polonisë, Lituanisë e Letonisë – si hakmarrje për sanksionet që i janë vënë më herët Bjellorusisë. Ky shtet e ka mohuar akuzën se e ka nxitur qëllimisht krizën.
Vendet anëtare të BE-së, fqinje të Bjellorusisë, e cila është aleate e ngushtë e Rusisë, kanë paralajmëruar se kriza mund të çojë në përleshje ushtarake. Ato kanë shpallur gjendje emergjente dhe kanë dërguar forca ushtarake afër kufijve, shkruan Reuters.
Estonia ka histori gjeopolitike të ngjashme me Lituaninë e Letoninë, ndonëse nuk ka kufij me Bjellorusinë.
Ushtrimi i paparalajmëruar do të zgjasë deri më 25 nëntor dhe është organizuar për ta testuar përgjigjen e shpejtë të zinxhirit kombëtar të komandës, tha qeveria estoneze.
Ushtarët rezervë do të ndihmojnë në vendosjen e rrethojës me tehe përgjatë kufirit 40-kilometërsh me Rusinë, ku rreziku për kalim të paligjshëm të kufirit është më i madhi, thuhet në deklaratën e policisë dhe rojës kufitare estoneze.
“Ajo që po ndodh në Poloni, Lituani dhe Letoni gjithashtu e kërkon forcimin e infrastrukturës kufitare në Estoni”, tha komandanti i Policisë dhe Rojës Kufitare në Estoni, Elmar Vaher.