Para nëntë vjetësh Fadil Hysajt i kishte hyrë mendja se një ahur i vjetër mund të shndërrohej në hapësirë performuese. Për shumëkënd kjo do të mundë të tingëllonte diçka e paarrirë. Jo vetëm shkaku i objektit, por edhe për vendin ku ndodhej.
Rreth 30 kilometra nga Prishtina, në gati një mijë metra mbidetare, fshati Kukaj, ishte shndërruar në aso vendbanimi që është pjesë e kronikave kur raportohet se banorët janë duke e braktisur, shkruan sot “Koha Ditore”.
Por shfaqja “Dardha pas bunarit” me regji të Ilirjana Arifit kishte mbledhur 100 veta. Kësisoj një ahur i moçëm ishte shndërruar në një vend për art. Krejt kjo, kishte bërë që Hysaj të mos ndalej.
“Mandej është ndierë nevoja të zgjerohemi. Në vitin tjetër ka lindur ‘Etno Festi’ si një kërkim i një identiteti të humbur. Në kërkim të një imazhi autokton jemi zgjeruar. Krejt kjo është rritur në shumë rrafshe. Është rritur nevoja për një etnokompleks të madh”, thotë Hysaj në ditën e dytë të edicionit të tetë të festivalit të arteve dhe kulturës tradicionale. “Etno Festi” është hapur të shtunën, me ritin e stolisjes së nuseve.
Etnokompleksi tashmë është bërë pikë reference jo vetëm për zonën ku mbahet. Me hapësira të shumta, por të shfrytëzuara në secilin qosh, me arkitekturë ku dominojnë guri e druri, si tersi duket të jetë një etnofshat i vogël. Mënyra e të jetuarit në të kaluarën aty është e gjallë. Qysh prej vitit 2015, me emrin “Kompleks banimi – Etnoteatri” mbrohet si monument në Listën e trashëgimisë kulturore nën mbrojtje të përkohshme