Ëndrrat ushqehen nga pasioni dhe dëshira për të mos u dorëzuar kurrë. Kombëtarja Shqiptare e nisi me hapin e gabuar fazën kualifikuese të Europianit, duke u mposhtur përballë Turqisë dhe duket se as fitorja ndaj Andorrës nuk e ka zhdukur zhgënjimin për atë disfatë, megjithatë gara sapo ka nisur.
Portieri dhe një nga liderët e kuqezinjve, Etrit Berisha e kupton momentin ku ndodhet përfaqësuesja dhe pranon se duhet një shkëndijë, duhet një fitore për të rikthyer besimin tek realizimi i një tjetër ëndrre.
“Ne duhet të fokusohemi në përgatitjen e ndeshjeve dhe të mundohemi të marrim një rezultat pozitiv me Islandën. Ndoshta na duhet një shkëndijë e vogël, që të ëndërrojmë më shumë për një kualifikim të mundshëm në Europian. Nuk duhet të jemi euforikë, por as të kemi presion. Thjesht duhet të punojmë mirë për të përgatitur ndeshjen e radhës”, tha Berisha.
Një kapitull i ri ka nisur nën drejtimin e Edy Rejës. Gardiani 30-vjeçar, edhe pse ka vetëm një javë që është nën urdhrat e teknikut italian, dallon qartë që përvoja e madhe është arma më e fortë e teknikut 73-vjeçar, një armë e cila do ta ndihmojë shumë përfaqësuesen tone.
“Eksperienca e tij është jashtëzakonisht e madhe dhe kjo na duhet shumë neve, pasi kemi shumë lojtarë të rinj në grup, që kanë nevojë për përvojë. Reja e ka këtë përvojë dhe mundohet ta përcjellë te grupi, duke kërkuar të jemi kompaktë dhe të mos pësojmë”, deklaroi gardiani kuqezi.
Herën e fundit që Berisha ka zbritur në fushë në Islandë ka qenë më 10 Shkurt të 2013 në eliminatoret e Botërorit, ku blutë fituan me përmbysje 2-1, portieri shpreson që përfundimi të jetë i ndryshëm dhe fizikisht Shqipëria të jetë gati për t’i bërë ballë forcës së vikingëve.
“Kemi filluar mirë ndeshjen dhe kaluam edhe në avantazh, por bëmë shumë gabime më pas. Duhet të jemi shumë kompaktë dhe të sigurt në lojën tonë. Fizikisht Islanda është shumë lart, pro duhet të reagojmë mirë ndaj tyre, për të tentuar nëj rezultat të mirë”, tha u shpreh Berisha.
Në Itali sapo u mbyll një sezon historik për Atalantën, por jo edhe aq ekzaltues për gardianin nga Prishtina, i cili në muajt e fundit humbi postin e titullarit kundrejt Gollinit. Është ende herët për të përcaktuar të ardhmen, por është e sigurt që nëse situata nuk ndryshon, qëndrimi i Berishës në Bergamo është në pikëpyetje të madhe.
“Më i gëzuar jam për arritjet e ekipit, pasi kemi qenë të gjithë pjesë e suksesit. Në muajt e fundit ka ndodhur edhe ndryshimi, ndaj tani duhet t’i shikoj me shumë kujdes gjërat dhe pas disa javëve duhet të marr një vendim për të ardhmen. Ende tani është shumë herët dhe jam i përqendruar te Kombëtarja, pasi ka kohë për merkaton”, deklaroi Berisha.