Sistemi vendor i drejtësisë nuk do të mëvetësohet plotësisht as në këtë qershor. Misioni evropian për sundimin e ligjit në Kosovë, EULEX, do të reduktohet në përbërje e edhe në mandat, por do të ruajë disa kompetenca ekzekutive që ndërlidhen me dëshmitarët e edhe të tilla që kanë të bëjnë me Gjykatën Speciale, shkruan sot Koha Ditore.
Të premten Këshilli Evropian ka vendosur për mandatin e ri të EULEX-it, i cili do të jetë në fuqi dy vjet rresht. Misioni nuk do të paketohet i tëri. Ai do të vazhdojë t’i mbështesë institucionet përkatëse të sundimit të ligjit në Kosovë. Por do të ketë edhe fusha ku zëri i EULEX-it do të jetë vendimtar.
“Misioni do të mbajë disa përgjegjësi të kufizuara ekzekutive në fushat e mbrojtjes së dëshmitarëve dhe në mbështetjen për Dhomat e Specializuara dhe Prokurorinë e Specializuar, si dhe do ta mbajë rolin e tij si reagues i dytë në fushën e sigurisë”, thuhet në një komunikatë shtypi të Këshillit. “Kosova do të marrë përgjegjësinë për të gjitha hetimet, ndjekjet penale dhe gjykimet e transferuara”.