Katër muaj pas ngritjes së aktakuzës ndaj drejtorit operativ të KEK-ut, Nijazi Thaçi, i cili është kushëri i presidentit Hashim Thaçi, si dhe ndaj ish-kryetarit të OSHP-së, Hysni Hoxha, e pesë zyrtarëve të tjerë për keqpërdorim të detyrës zyrtare, Prokuroria e EULEX-it është tërhequr nga aktakuza.
Mungesa e provave është konsideruar shkak për përfundimin e ndjekjes penale, e cila ishte iniciuar në vitin 2012.
Në aktakuzën e ngritur më 7 korrik të vitit të kaluar nga prokurori i EULEX-it, Tomas Meskauskas, pos Thaçit e Hoxhës janë akuzuar edhe eksperti shqyrtues i OSHP-së, Azem Duraku, dhe katër zyrtarë të KEK-ut, Emin Tmava, Hanefi Hajdini, Driton Pruthi dhe Muhamet Selmani.
Mbi ta kanë rënduar tri vepra penale: keqpërdorim i detyrës zyrtare, veprimtari e pandërgjegjshme ekonomike, si dhe lidhje e kontratës së dëmshme. (Koha Ditore)