Me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Zhdukurve, EULEX-i e kujton tragjedinë e atyre që u zhdukën si dhe plojën e familjeve të tyre.
“Unë dëshiroj që t’i ofroj përkrahjen time familjeve të cilat ende presin të marrin vesh se çfarë u ka ndodhur të dashurve të tyre. Kjo është një çështje e cila i ka prekur shumë familje këtu në Kosovë dhe në rajon, prandaj ajo vazhdon të jetë një prej prioriteteve kryesore të EULEX-it. Ndërsa natyra e procesit të identifikimit është e ndjeshme, e komplikuar dhe që kërkon kohë, është shumë me rëndësi që ai të vazhdojë në mënyrë që familjet të gjejnë përgjigjet për fatin e të pagjeturve,” ka thënë shefja e Misionit EULEX Alexandra Papadopoulou me anë të një deklarate dërguar për media nga ky mision.
Siç thuhet në deklaratë EULEX-i ka kontribuar në kërkimet e Kosovës për të pagjeturit me një ekip të ekspertëve mjekoligjorë të cilët punojnë në Institutin e Mjekësisë Ligjore (IML) në kuadër të Ministrisë së Drejtësisë së Kosovës në përpjekjet intensive për zbulimin e fatit të pagjeturve. Paralelisht me këtë, përgjatë viteve të kaluara, EULEX-i e ka trajnuar ekipin vendas për punë në terren për mënyrën e kryerjes së vlerësimeve të lokacioneve dhe për zhvarrimet.
Në kuadër të angazhimeve të EULEX-it për fuqizimin e kapaciteteve vendase, dy mjekë vendas e kanë përfunduar një kurs “online” për antropologji mjekoligjore nga Universiteti i Leicesterit si dhe janë trajnuar në vendin e tyre të punës për kërkimin e personave të pagjetur.
Prej muajit shtator 2016, ekspertët mjekoligjorë të EULEX-it janë duke i shfrytëzuar Sistemet e Informatave Gjeografike dhe modelet e parashikimit në nivelin mikro-shkallor si pjesë e angazhimeve të tyre për zbulimin e fatit të zhdukurve. Po ashtu, EULEX-i u ka bërë analiza të thukëta dosjeve për t’i krahasuar mostrat e gjakut të familjeve të secilit person të pagjetur. Rezultatet paraprake tashmë kanë treguar një proces të suksesshëm.
“Përfundimisht, EULEX-i është këtu që t’u ndihmojë institucioneve të Kosovës që t’i gjejnë të pagjeturit me ato mjete dhe mundësi që i kemi. Prandaj, për aq kohë sa do të jemi këtu, ne nuk do të dorëzohemi kurrë,” tha Papadopoulou.