Eurodeputetja Strugariu: Shkelja e ligjit me dëbimin e Harun Çelik rrezikon integrimin e Shqipërisë

Prishtinë | 10 Jan 2020 | 08:19 | Nga Ekonomia Online

Dëbimi i shtetasit turk Harun Çelik nga Shqipëria më 1 janar, komprometon kredencialet perëndimore të Shqipërisë dhe e vendos këtë vend përballë pikëpyetjeve të sikletshme mbi rolin e saj në mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe në zbatimin e konventave ndërkombëtare.

Eurodeputetja rumune Ramona Strugariu, anëtare e Komisionit për Liritë Civile, në një letër drejtuar presidentit të Shqipërisë, Ilir Meta, dhe kryeministrit të këtij vendi, Edi Rama, ka kërkuar prej tyre përgjigje të qarta mbi arsyet e dëbimit të detyruar të Harun Çelik nga Shqipëria drejt Turqisë, shkruan sot “Koha Ditore”.

Reagimi i saj vjen pasi më 1 janar u deportua nga Shqipëria pa asnjë shpjegim zyrtar mësuesi turk, Harun Çelik, që i përket lëvizjes “Gylen”.

Eurodeputetja Strugariu po kështu kërkon të dijë nëse është respektuar Ligji ndërkombëtar për të drejtat e njeriut. Ndër të tjera, eurodeputetja thekson se shkelja e ligjit ndërkombëtar me dëbimin e Harun Çelik rrezikon integrimin e Shqipërisë duke shtuar se respektimi i të drejtave të njeriut është një klauzolë e rëndësishme për integrimin e Shqipërisë në BE.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme