Zëvendësshefi i Zyrës së BE-së, Riccardo Serri, dhe kryesuesi i Këshillit Gjyqësor, Skënder Çoçaj, kanë vizituar Gjykatën Themelore të Prishtinës, ku u takuan me kryetaren Afërdita Bytyqi. Aty u diskutua rreth funksionalizimit të Evidencës Qendrore Penale, raporton EkonomiaOnline.
Çoçaj tha se deri tani kanë regjistruar 250 mijë lëndë, dhe për këtë projekt kanë krijuar një task-forcë dhe pjesë e këtij plani do të jenë një numër procedurash.
“Më lejoni të përshëndes zyrën e BE-së për mbështetjen e vazhdueshme, dënimet e regjistruara kanë arritur në 250 mijë, Gjykata Themelore e Prishtinës është shembull për gjatësinë në vend. Ka filluar regjistrimi i lëndëve, duke qenë të vetëdijshëm që ky projekt i regjistrimit ka rëndësi ne kemi krijuar një task-forcë, ku pjesë e këtij plani do të jenë afatet kohore, personat përgjegjës e të tjerë. Regjistrimi i lëndëve do ta lehtësojë punën e gjyqësisë dhe do të kursej kohë për qytetarët tanë”, tha ai.
Richardo Sarri zv. Shef i zyrës së BE-së në Kosovë, u shpreh se funksionalizimi i Evidencës Qendrore Penale është shumë i rëndësishëm për sundimin e ligjit.
“Ky projekt është shumë i rëndësishëm, është baza e diçkaje të bëjmë së bashku diçka. Ky projekt që e kemi mbështetur nga zyra e BE-së u mundëson qytetarëve që të kryejnë punë shumë më shpejtë. Është shumë me rëndësi të keni një regjistër penal. Shpresoj që Gjykata Themelore në Prishtinë do të jetë shembull për gjykatat e tjera”, tha ai.
Kryetarja e Gjykatës Themelore, Afërdita Bytyqi tha se me lansimin e këtij projekti do të pamundësohet keqpërdorimi për aplikim për viza dhe për vende pune.
Ajo tha se në këtë sistem janë regjistruar 90% e lëndëve dhe lëndët e regjistruara figurojnë që nga viti ‘99.
“Vizita e juaj në gjykatë dëshmon vazhdimin e përkrahjes nga ana e BE-së për sistemin e drejtësisë dhe gjykatën themelore në Prishtinë. Sistemi qendror i evidencës penale, besoj që do të jetë me shumë rëndësi. Me jetësimin e këtij sistemi dënimet e shlyera nuk do të shënojnë në certifikatat penale. Mbi 90% e lëndëve janë regjistruar në sistem dhe do të regjistrohen që nga viti 1999. Benefiti do të jetë jo vetëm nga qytetarët por edhe nga prokurorët dhe gjyqtarët, me këtë evidencë shmanget keqpërdorimi i evidencave për viza dje për një vend pune”, tha ajo.