I dërguari i posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, të enjten vjen për vizitë në Prishtinë.
Kryetema e bisedave do të jenë mundësia që deri në fund të vitit të organizohet takimi mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti e presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq në Bruksel.
Emisari qëndroi për pak në Beograd dhe në mesin e njerëzve që takoi ishte edhe Vuçiq, me të cilin bisedoi për çështjet e energjisë elektrike në veri të Kosovës. Në atë pjesë serbët që nga përfundimi i luftës nuk paguajnë rrymën e harxhuar.
Ndërkohë, zëdhënësi i BE-së për politikë të jashtme, Peter Stano, pos që e konfirmoi ardhjen e Lajçak në Prishtinë, dha kritika edhe për mos dhënien e lejes për vizitë në Kosovë të zyrtarit serb përgjegjës për Kosovë, Petar Petkoviq.
“Aq sa ne dimë, vizita e zotëri Petkoviq ishte lajmëruar në mënyrën e duhur në linjë me marrëveshjen, prandaj kjo vizitë do të duhej të lejohej të ndodhte. Ne i bëjmë thirrje Kosovës që ta rishqyrtojë vendimin dhe ta bëjë të mundur këtë vizitë”, theksoi Stano.
E sa për deklaratat e kryeministrit kosovar që tha se po të bëhej referendum për bashkimin e Kosovës me Shqipërinë, nga Brukseli u dha një reagim diplomatik.
“Unë e kuptova se ai po komentonte në kontekstin hipotetik, që është një arsye më shumë për ne që mos të flasim për skenarë hipotetikë. Por pritjet e 27 vendeve anëtare të BE-së këtu janë shumë të qarta. Ne presim që liderët në Ballkanin Perëndimor të jenë shembull kur vije puna te angazhimi konstruktiv si dhe sjellja e deklaratat e përgjegjshme që dërgojnë në pajtim e marrëdhënie të mira fqinjësore”, shtoi zëdhënësi i BE-së.