Europa planifikon të jetë kontinenti i parë neutral ndaj karbonit. Ky është qëllimi ambicioz për Europën, shpallur nga presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, në vitin 2019 dhe rruga për ta rritur atë, deri në vitin 2050, është nëpërmjet Marrëveshjes së Gjelbër Europiane “Green Deal” – një gamë e gjerë idesh, që përfshin pastrimin e ajrit dhe ujit, rinovimin e ndërtesave si dhe jetesën më të shëndetshme të popullatës, më pak të varur nga karboni, transmeton euronews.al.
Dita e sotme shënon fillimin e Javës së Gjelbër të Bashkimit Europian, ku një numër eventesh shqyrtojnë se si politikat e BE-së, si Marrëveshja e Gjelbër, mund të ndihmojnë në mbrojtjen dhe rigjallërimin e natyrës, duke i dhënë kohë të rikuperohet dhe të gjelbërojë.
Por nga ku mund të nis Marrëveshja e Gjelbër dhe cili është qëllimi i saj?
Marrëveshja e Gjelbër ka për qëllim ta transformojë Europën në kontinentin e parë neutral ndaj karbonit dhe klimës në botë.
Neutraliteti i karbonit do të thotë se në atmosferë nuk do të lëshohet më shumë karbon në krahasim me atë që mund të thithet nga “lavamanët e karbonit”, sisteme që mund të thithin më shumë karbon se sa mund të prodhojnë si për shembull dheu, pyjet dhe oqeanet.
Europa ka për synim ta arrijë këtë deri në vitin 2050, duke ulur në mënyrë drastike nivelet e karbonit.
Ky qëllim përcaktohet gjithashtu edhe në Marrëveshjen e Klimës së Parisit që u miratua në vitin 2015, nënshkruar edhe nga BE-ja.
Çfarë përfshin Marrëveshja e Gjelbër?
BE-ja e përshkruan si një “plan veprimi” për të arritur qëllimet e mësipërme, duke dhënë informacion mbi shkencën, ndryshimet e nevojshme dhe fondet e disponueshme për të arritur këto qëllime.
Në sferën ekonomike marrëveshja përfshin:
Investime në teknologji “miqësore ndaj mjedisit”
Krijimi i formave më të pastra, më të lira dhe më të shëndetshme të transportit publik dhe privat
Dekarbonizimi i sektorit të energjisë
Bashkëpunimi me partnerët ndërkombëtarë për të përmirësuar standardet globale të mjedisit.
Shteteve anëtare u është kërkuar të prezantojnë strategji afatgjata, çdo 10 vjet, që paraqesin plane për të ulur nivelet e karbonit në mënyrë që të arrihet qëllimi i përbashkët.
Këto plane duhet të mbulojnë:
Reduktimin e emetimeve
Plane specifike për sektorë si: elektriciteti, fabrikat, transporti, sektori i ngrohjes dhe ftohjes në ndërtesa, bujqësia, përdorimi i mbetjeve dhe i tokës dhe pylltaria
Një përllogaritje të investimeve afatgjata, strategjive të hulumtimeve, zhvillimit dhe inovacionit
Ndikimi socio-ekonomik i masave të ndërmarra për të arritur dekarbonizimin
Strategjitë e para afatgjata ishin parashikuar të dorëzoheshin në 1 janar 2020, por deri në tetor të 2020 shumë shtete të BE-së akoma nuk i kanë dorëzuar planet e tyre.
Si do t’i paguajnë shtetet anëtare këto transformime?
Në janar Komisioni shpalosi planin financiar për Marrëveshjen e Gjelbër, për të cilën synohen të investohen të paktën 1 trilion euro në dhjetë vitet e ardhshme, nëpërmjet një përzierje të fondeve private dhe publike, përfshirë një të katërtën e buxhetit të BE-së.
Cila është gjendja aktuale e Marrëveshjes?
Më 7 tetor 2020, Parlamenti Europian e mbështeti planin e neutralitetit të karbonit për vitin e dhënë dhe reduktimin me 60 për qind të emetimeve deri në vitin 2030.
Ky qëllim do të bëhet ligjërisht i detyrueshëm nëse në Parlament dhe në Këshill miratohet një ligj i ri për klimën. Por kjo nuk ka ndodhur ende.
Tre institucionet e BE-së duhet të diskutojnë dhe të bien dakord mbi qëllimi final të përqindjes së reduktimit të emetimeve dhe pavarësisht bisedave të kohëve të fundit, shtetet anëtare nuk kanë arritur një marrëveshje, duke i shtyrë bisedimet deri në samitin e ardhshëm të dhjetorit.
Aktualisht vetëm pesë vende të BE-së kanë vendosur me ligj synimin e neutralitetit ndaj klimës: Suedia, Danimarka, Franca, Gjermania dhe Hungaria.