Gara në të cilën Kosova synon të fitojë shumë medalje, është shtyrë sërish.
Bëhet fjalë për Evropianin e xhudos për seniorë, që është shtyrë për vjeshtë.
Fillimisht është planifikuar që kampionati evropian të mbahej në javën e parë të muajit maj. Për shkak të pandemisë së koronavirusit, më 12 mars ishte vendosur që Evropiani të organizohej nga 19 deri më 21 qershor. Por një shtyrje tjetër është konfirmuar të hënën nga Federata Evropiane e Xhudos.
“EJU ka vendosur të shtyjë Kampionatin Evropian të Xhudos për Seniorë, që do të mbahet në Pragë. Termini i ri që propozohet është nga 8 deri më 10 nëntor 2020. Data do të konfirmohet pas negociatave me arenën ku duhet të mbahet ngjarja”, ka njoftuar EJU.
Të gjitha ngjarjet evropiane janë shtyrë deri në fund të korrikut, ndërsa do të vendoset së shpejti për ngjarjet e muajit gusht.
Në kampionate evropiane xhudistët kosovarë vazhdimisht fitojnë medalje. Vitin e kaluar medalje evropiane fituan Majlinda Kelmendi, Nora Gjakova e Loriana Kuka. Evropiani ishte mbajtur në kuadër të Lojërave Evropiane. Këtë vit pos tyre medalje synojnë edhe Distria Krasniqi, Akil Gjakova, Laura Fazliu e ndonjë tjetër.
Ndërkohë situata me pandemi, përkatësisht shtyrja e Lojërave Olimpike për vitin 2021, bënë që këtë vit të mbahet Botërori i xhudos. Në xhudo nuk mbahen kampionate botërore në vitet kur mbahen Lojërat Olimpike. Për këtë nuk ishte planifikuar Botëror për vitin 2020.
“Presidenti i Federatës Ndërkombëtare të Xhudos, Marius Vizer ka paralajmëruar përfshirjen e Botërorit në kualifikime për Lojërat e Tokios. Kjo nënkupton se Botërori do të mbahet këtë vit, me shumë mundësi në vjeshtë. Botërori është ngjarje shumë e rëndësishme për IJF-në dhe nuk ka gjasë që të shkojnë dy vite pa Botëror. Po ashtu nuk ka gjasa që në të njëjtin vit të mbahet edhe Botërori edhe Lojërat Olimpike”, ka thënë trajneri i Kosovës në xhudo, Driton Kuka, të hënën për Koha.net.