Pavarësisht nga vërtetësia e letrës së publikuar së fundmi për ndryshimin e kufijve në Ballkanin Perëndimor, lajmi rreth dokumentit hapi edhe një herë një plagë të vjetër në Ballkanin Perëndimor. Deri më tani, ky propozim është hedhur poshtë nga BE, SHBA-ja dhe liderët rajonal, por ekspertët thonë se ideja e ndryshimit të kufijve nuk ka vdekur dhe se do të ketë akoma mbështetës të saj në të ardhmen.
Në letrën e saj, Sllovenia propozonte shpërbërjen e Bosnjë Hercegovinës, duke u bashkuar një pjesë me Serbinë dhe një pjesë me Kroacinë si dhe bashkimin e Kosovës dhe Shqipërisë. Së bashku me hartën shoqëruese, letra jo-zyrtare pushtoi mediat rajonale javën e kaluar, European Western Balkans.
Letra u dorëzua nga Kryeministri i Sllovenisë Janez Janša, megjithëse nuk ka autor. Konfuzioni u shtua nga udhëheqësit e Ballkanit, pasi Kryeministri Edi Rama deklaroi se kishte parë dokumentin dhe i ishte treguar para se të dorëzohej në Bruksel, ndërsa Presidenti i Serbisë Aleksandër Vuçiç tha se nuk e kishte idenë për ekzistencën e tij.
Ndërsa origjina e vërtetë e dokumentit mund të mbetet një mister, rajoni po diskuton edhe një herë mundësinë e ndryshimit të kufijve. Kjo ka nxitur reagime të përfaqësuesve të BE dhe SHBA.
Delegacioni i BE-së, në Bosnjë Hercegovinë dhe Komandanti i EUFOR lëshuan një deklaratë javën e kaluar, duke thënë se “BE është e përkushtuar pa mëdyshje ndaj sovranitetit, unitetit dhe integritetit territorial të Bosnjë dhe Hercegovinës” dhe mbështetët të ardhmen e saj në BE. Ndërkohë, Ambasada e SHBA në Sarajevë deklaroi se pozicioni i Uashingtonit mbi Marrëveshjen e Paqes të Dejtonit dhe të ardhmen e Bosnje dhe Herzegovinës nuk kishte ndryshuar.
Por deri më tani , nuk ka pasur asnjë koment nga qeveritë e tjera të BE-së. Srđan Cvijić, analist në Institutin e Politikave Europiane për Ballkan, nuk beson se ka mbështetje të konsiderueshme për idenë e ndryshimit të kufijve në BE, por beson se një pjesë e dokumentit është shkruar në Budapest.
“Reagimi ndaj pretendimeve të Janšas nga vendet e tjera anëtare të BE-së mund të kishte qenë më i fortë, por unë nuk do ta interpretoja heshtjen e tyre si mbështetëse të idesë së ndryshimeve të mëtejshme të kufijve në rajon. Nuk është zakon që të komentohen drejtpërdrejt letrat jo-zyrtare të një shteti tjetër anëtar. Nëse shtoni dyshime për vërtetësinë e tij, kjo do ta bënte një reagim të tillë edhe më të vështirë për partnerët e Sllovenisë në BE “, thotë Cvijić.
Marko Kmezić, studiues në Universitetin e Grazit gjithashtu beson se ekziston një kundërshtim i qartë ndaj idesë së ndryshimit të kufijve të Ballkanit në BE.
“Kjo është bërë e qartë në disa raste tashmë, për shembull kur Milorad Dodik mbrojti referendumin për pavarësi në Republikën Srpska, ose kur Aleksandër Vuçiç dhe Hashim Thaçi u përfolën se kishin konsideruar shkëmbimin e territoreve midis Serbisë dhe Kosovës si pjesë e normalizimit të marrëdhënieve midis dy vende ”, kujton ai.
Por sipas tij, kjo nuk do të thotë që iniciativa të ngjashme nuk do të rishfaqen përsëri në të ardhmen, sepse ka akoma grupe ose individë që do të përqafonin idenë e ndarjes etnike në Ballkan.
“Sigurisht, do të duhet të dinim kush qëndron prapa ideve të tilla në një krizë të tillë botërore dhe pse. Shumë gjëra në lidhje me këtë letër të mbeten të paqarta, përfshirë edhe besueshmërinë e dokumentit “, përfundon Kmezić.
Srđan Cvijić gjithashtu beson se zërat që mbështesin ndryshimin e kufijve në Ballkan do të mbeten, por ai dyshon se ato do të mbizotërojnë.
“Disa shtete të rëndësishme anëtare të BE-së janë parë të mbështesin presidencën Trump duke besuar se çfarëdolloj gjejë që bien dakort Serbia dhe Kosova do të ishte e pranueshme për ta. Berlini ishte fuqimisht kundër kësaj dhe arriti t’i kthente vendet e tjera në anën e saj. Tani, me administratën e re, është e vështirë të besoj se ka zëra në Departamentin Amerikan të Shtetit që mbështesin ndryshimin e kufijve”, thotë Cvijić.
Ai, megjithatë, beson se arsyeja pse këto ide kanë tërhequr edhe një herë vëmendjen e rajonit është se Ballkani Perëndimor ka qënë kohët e fundit jashtë radarit të BE-së.
“Letra e Janša në këtë drejtim përshkruhet më së miri nga fjalia e mëposhtme: Kur ikën macja, minjtë fillojnë bëjnë festë. Unë do të nxirrja në një përfundim edhe më të madh nga ky ‘incident’: derisa Berlini, Parisi dhe kryeqytetet e tjera të mëdha të BE-së ta konsiderojnë anëtarësimin e rajonin përparësi absolute, stabiliteti i Ballkanit dhe rrjedhimisht i BE-së do të jetë nën rrezik “, përfundon ai.