Shumica e komunave të Kosovës do të shkojnë në balotazh, pasi asnjë kandidat për kryetar nuk ka mundur të fitojë shumicën e nevojshme në zgjedhjet komunale që u zhvilluan sot.
Në balotazh do të shkojë Prishtina, Gjakova, Mitrovica, Ferizaj, Gjilani, Prizreni dhe me gjasë dhe Peja. Kështu kanë treguar të dhënat e exit-pollit të kryer nga organizata “Gani Bobi”, në bashkëpunim me Klan Kosovën.
Ahmeti e Abrashi në balotazh në Prishtinë
Komuna e Prishtinës në zgjedhjet komunale të 2017-ës do të shkojë në balotazh, kështu kanë treguar të dhënat e EXIT POLL të Klan Kosovës.
Kandidati i VV-së, Shpend Ahmeti, do të përballet me kandidatin e LDK-së, Arban Abrashi, për të parin e kryeqytetit.
Drejtori i Klan Kosovës, Baton Haxhiu ka dhënë disa informacione rreth exit-pollit. “Vetëm një komunë do të shkojë pa balotazh, ajo është në Dukagjin”, tha Haxhiu, transmeton Ekonomia Online.
Ekipi në krye me analistin Shkëlzen Maliqi ka përpunuar të dhënat e mbledhura nga shtatë komuna në Kosovë.
Në Prizren, PDK dhe VV në balotazh
Edhe Komuna e Prizrenit do të shkojë në balotazh.
Balotazhi do të jetë mes PDK-së dhe Lëvizjes Vetëvendosje, sipas Baton Haxhiut.
Në Mitrovica, PDK e AKR në balotazh
Edhe Komuna e Mitrovicës në zgjedhjet komunale 2017, shkon në balotazh.
Për njërin nga qendrat më të ndjeshme në Kosovë do të përballen Valdete Idrizi e PDK-së dhe kryetari i deritanishëm Agim Bahtiri, i cili vjen nga AKR-ja.
Gjilani në balotazh mes LDK-së dhe Vetëvendosjes
Gjilani do të shkojë në balotazh, sipas këtij EXIT POLL-i.
Për njërin nga qytetet më të rëndësishme në Kosovë do të përballen Lutfi Haziri i LDK-së dhe Sami Kurteshi i Vetëvendosjes.
Ferizaj në balotazh ndërmjet LDK-së dhe PDK-së
Edhe Ferizaj do të shkojë në balotazh.
Atje në balotazh do të jenë Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Partia Demokratike e Kosovës, sipas EXIT POLL-it të Klan Kosovës.
Në Gjakovë do të rigarojnë Kusari-Lila dhe Ardian Gjini
Edhe Gjakova do të shkojë në balotazh.
Atje në balotazh do të jenë Mimoza Kusari-Lila, e cila para disa muajsh formoi partinë e saj, Alternativa, dhe Ardian Gjini i AAK-së.