Më 10 shtator, në Southampton, Anglia i dha fund serisë prej 15 ndeshjeve pa humbje të përfaqësueses së Kosovës në futboll.
Kosova tashmë ka nisur seri të re – me dy fitore – ndërsa për më tepër mbetet e pamposhtur në shtëpinë e saj, në arenën e zjarrtë, “Fadil Vokrri” në Prishtinë.
Përkrahja që Kosovës po i ofrohet nga tifozët në stadiumin “Fadil Vokrri” po vlerësohet lart nga lojtarët, nga shtabi teknik i përfaqësueses, por edhe nga përfaqësueset rivale.
Në çdo ndeshje stadiumi është i mbushur me shikues, ndërsa për ndeshje zyrtare kërkesat për një biletë janë dukshëm më të mëdha se kapaciteti i stadiumit prej afro 13 mijë vendeve.
Të hënën mbrëma, Kosova kishte përkrahje të madhe nga shikuesit në takimin ndaj Malit të Zi.
Festa në tribuna nisi ende pa nisur ndeshja dhe në atmosferë të tillë festive edhe u larguan tifozët nga stadiumi. Sidomos në pjesën e parë është vërejtur entuziazëm më i madh te shikuesit.
Kishte përkrahje të madhe për lojtarët, duartrokitje për aksionet e bukura, këngë e festim emocional pas dy golave dhe aksioneve të tjera të bukura.
Kosova fitoi 2:0 ndaj Malit të Zi në një ndeshje që krijoi mbi 20 raste të pastra shënimi. Kështu “dardanët” kanë mbetur fuqishëm në garë për kualifikim në kampionat evropian, në tentimin e parë.
Kosova nuk di për humbje në stadiumin “Fadil Vokrri”, ndërsa në stadiumin e qytetit në Prishtinë nuk ka pësuar edhe para se kjo arenë të marrë emrin e legjendës së futbollit kosovar dhe ish kryetarit të FFK-së. Por me emërtimin e stadiumit me emrin e legjendës, falë edhe disa rrethanave të tjera, atmosfera në këtë arenë është dukshëm më e zjarrtë.Koha.Net.