Ministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Vlora Dumoshi bashkë edhe me ministrin e Shëndetësisë, Armend Zemaj kanë vendosur kurora lulesh te varri i legjendës së futbollit, Fadil Vokrri, në dyvjetorin e vdekjes, raporton Ekonomia Online.
Dumoshi nga aty premtoi mbështetje për sportin, siç tha ajo për ta dërguar amanetin e Vokrrit në vend.
“Sot në dy vjetorin e vdekjes se legjendës Fadil Vokrri kemi ardhur të bëjmë nderime për të”.
“Ka dhënë kontribut të jashtëzakonshëm në futbollin e Kosovës veçmas në kohën e fundit kur bëri që futbolli i Kosovës të pranohet në UEFA e FIFA”.
“Ne si ministri do të mbështesim amanetin tij që sportin ta dërgojmë sa më shumë përpara”.
Kryetari i FFK-së Agim Ademi ka thënë se kontributi i Fadil Vokrrit ka qenë i pashmangshëm në pranimin e Kosovës në UEFA.
“Edhe sot siç do vjet krahas dhimbjes ne jemi krenari. Jemi të pranuar në UEFA dhe kontributi i tij është i pashmangshëm po ashtu edhe në drejtime të tjera sepse ai ka treguar aftësitë e veta edhe në tavolina sidomos ato ndërkombëtare”.
“…ne jemi mundu të ecim me të që ta kultivojmë këtë futboll që e kemi nisur bashkërisht dhe kështu shpresoj që do t’ia dalim dhe t’i kryejmë obligimet tona që na presin për futbollin sepse objektiv është të kualifikohemi në Kampionatin Evropian”.
“Normalisht nuk kanë qenë të lehta por fati im që kam qenë nga fillimi në Federata dhe nga Fadili kam marr ma të mirën. Unë jam kryetar i Federatës, dhe kjo do të varet nga vota e federatave tanë”, tha ai.
Sekretar i FFK-së, Eroll Salihu, tha se futbolli kosovarë po i gëzon edhe sot meritat e punës së Vokrrit, raporton EO.
“Dy vjet po më duket si 10 vjet, sepse nuk na ka lidhur vetëm puna dhe kemi qenë shokë shumë të afërt dhe thjesht edhe kjo ditë është një hapësirë që nuk mundem me mbushë sepse ka qenë një legjendë e futbollit”.
“…ai ka qenë njeriu i kuptueshëm dhe ka pasur zemrën e bardh dhe i kam kaluar 11 vjet me të sidomos në kohën e pranimit në FIFA dhe UEFA dhe sot e kësaj dite e gëzojmë atë punë që ka bërë ai”.
Ndërsa nga ora 13:00 kryeministri Avdullah Hoti dhe ministrja Dumoshi do ta zbulojnë bucetën e shtatores fituese që do të ngritet për të.
Fadil Vokrri ishte kryetar i Federatës së Futbollit të Kosovës për një dekadë, prej 16 shkurtit 2008 deri në vdekjen e tij më 9 qershor 2018.