FFK dhe kryetari Agim Ademi përkujtojnë Fadil Vokrrin në tre vjetorin e ndarjes nga jeta

Prishtinë | 09 Qer 2021 | 09:06 | Nga Ekonomia Online

Federata e Futbollit e Kosovës (FFK) ka lëshuar një përkujtim në emër të kryetarit Agim Ademi për të kujtuar vdekjen e legjendës Fadil Vokrri në tre vjetorin e shkuarjes në amshim.

Sot bëhen tre vjet pa Ty Legjenda e futbollit tonë, Fadil VOKRRI.

Ndonëse vitet po ikin, kujtimet për Ty mbesin të freskëta te të  gjithë ne, te njerëzit me të cilët bashkëpunove, por edhe te të gjithë ata që të njihnin.

Emri yt ishte dhe mbetet simbol dhe pjesë e motivimit të brezave të rinj. Ishe dhe do të mbetesh njëri nga personalitetet më të shquara të futbollit mbarëkombëtar dhe jo vetëm.

Kontributi yt është shkruar me shkronja të arta në historinë e futbollit tonë, teksa stadiumi që mban emrin tënd tashmë është shtëpia më e dashur jo vetëm e futbollistëve, por e tërë popullit të Kosovës.

9 qershori i 2018-s mbetet një ditë e errët, ngase të mori nga kjo jetë në periudhën kur i duheshe më së shumti familjes dhe futbollit tonë. Por, mbase Perëndia të deshi më shumë se të gjithë ne dhe të mori me vete për të mbetur i pavdekshëm si Legjendë.

Ikja jote ishte e rëndë jo vetëm për familjen, por edhe për neve si shoqëri dhe komunitet i futbollit. Fjalët janë të shumta për t’u thënë për Ty miku im, pasi veprat  tuaja ishin të jashtëzakonshme. Por nuk është aspak e lehtë për t’i shkruar sepse sa herë që shkruaj përfshihem nga emocionet.

Së bashku kaluam nëpër shumë sprova e sfida, por edhe në ditë të lumtura, prandaj gjithmonë do të mbetesh pjesë e kujtimit tonë si njeri bujar e me zemër të madhe.

Përherë do të jesh pjesë e rrugëtimit të futbollit tonë dhe çdo arritje e jona do të jetë shenjë falënderimi për Ty dhe të gjithë ata që sot nuk janë në mesin tonë, me të cilët kontribuuat ndër vite për jetësimin e ëndrrës së shumë gjeneratave të futbollit të Kosovës.

Lamtumirë LEGJENDË, Perëndia na takoftë në botën e përjetshme!

Me respekt,

Agim Ademi, president i FFK-së

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme