Shkencat Kompjuterike në UBT, lider për teknologji informative

Prishtinë | 21 Shk 2017 | 17:53 | Nga

Fakulteti i Shkencave Kompjuterike dhe Inxhinierisë në UBT, çdo vit tërheq qindra të rinj, të pasionuar pas shkencës dhe inovacionit, duke u bërë kështu shkolla më e madhe e teknologjisë informative në rajon, falë ofrimit të kushteve dhe nivelit të profesorëve të këtij drejtimi.

Dekani i SHKI-së, prof. dr Blerton Abazi tha se fakulteti është lider në rajon për mësimin që ofron, si dhe për punësimin e studentëve, të cilët dalin të diplomuar nga ky drejtim.

“Në UBT ndodhet numri më i madh i studentëve të interesuar për studime në fushën e teknologjisë informative dhe kjo rritje ka ardhur gradualisht, falë angazhimit të stafit profesional, si dhe përkushtimit e talentit të studentëve tanë”, vlerësoi Abazi, për të shtuar se “e tërë kjo punë shpërblehet kur produktet tona sistemohen dhe japin kontribut në vendet e tyre të punës”.

Duke folur për mënyrën e funksionimit të këtij drejtimi, ai tregoi se këtë fakultet e bënë të veçantë niveli i profesorëve dhe ndërlidhja e metodave më të reja të edukimit dhe aplikimit të industrisë.

“Fakulteti i Shkencave kompjuterike dhe Inxhinierisë e veçon fakti se kemi stafin akademik më cilësor, të cilët u dhurojnë studentëve përvojën e tyre të marrë nga industria, por mbi të gjitha, në këtë drejtim ndërlidhet industria dhe edukimi, me ç’rast studentët marrin njohuri nga trendët e fundit të zhvillimit të teknologjisë, përmes vizitave studimore në terren”, tha Abazi.

Duke qenë se UBT i kushton rëndësi të madhe aspektit të zhvillimit teknologjik, dekani Abazi theksoi se ky institucion është ithtar i të qenit në hap me kohën dhe me trendët ndërkombëtarë të zhvillimit teknologjik.

“Laboratorët e UBT-së janë të pajisur me mjetet më të sofistikuara të kohës, që mundësojnë kryerjen e ushtrimeve praktike më cilësi të lartë dhe të cilat, më pas aplikohen edhe në ambientet e punës nga studentët tanë, gjë që i shtyn studentët tanë ta duan edhe më tepër këtë profesion”, tha ai, për të shtuar se të rinjtë e interesuar për këtë fushë, janë inkurajuar nga organizimet dhe të arriturat e këtij drejtimi.

“Mbi 90% e të diplomuarve në këtë drejtim janë sistemuar menjëherë nëpër vende të punës, kurse mbi 1500 të rinj, aktualisht janë duke i ndjekur studimet, sepse sukseset e studentëve tanë kanë qenë pasqyrimi më i mirë i punës sonë përgjatë këtyre viteve të ekzistimit”.

Krahas ofrimit të studimeve në një nivel të lartë akademik, pjesë e SHKI-së janë edhe disa akademi dhe qendra mbështetëse.

“Në kuadër të Fakultetit të SHKI-së funksionon Qendra për Zhvillim Softuerik, si dhe Akademia Ekzekutive për Zhvillim Profesional e UBT-së, si pjesë e të cilave studentët tanë marrin mbi 198 certifikime ndërkombëtare në fushën e teknologjisë informative dhe të komunikimit”, tregoi Abazi, për të shtuar se “zhvillimi i hovshëm ndërlidhet edhe me krijimin e bashkëpunimit me partnerë të shumtë akademik, duke përfshirë Cisco-n, Comptia, Android ATC, Microsoft, C++ Institute, ECDL, SAP etj”.

Sipas Abazit, suksesi i studentëve të këtij drejtimi është treguesi më i mirë për nivelin dhe seriozitetin e UBT-së.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme