Besimtarët myslimanë në Kosovë po festojnë sot Kurban Bajramin, festë kjo e cila simbolizon sakrificën e besimtarëve ndaj Zotit dhe humanitetin mes njëri-tjetrit.
Manifestimi qendror kushtuar kësaj feste është mbajtur në “Xhaminë e Madhe” në Prishtinë, me mesazhe për paqe, solidaritet, harmoni dhe dashuri ndaj njëri-tjetrit, raporton Ekonomia Online.
Ligjëratën tematike kushtuar festës së Kurban Bajramit e ka mbajtur Orhan Bislimaj, kryemami i KBI në Prizren.
Myftiu i Kosovës, Naim Tërnava në mesazhin drejtuar besimtarëve tha se kjo festë bën bashkë të gjithë, duke apeluar të festohet bashkë në Kosovë e diasporë.
Ai më tej ka shtuar se këtë festë e karakterizojnë haxhi e prerja e kurbanit, rituale këto që sipas tij, e ofrojnë besimtarin me Zotin.
“Sot është ditë feste. Feston bota mbarë. Festojmë bashkë brenda vendit e në diasporë. Këtë festë e karakterizojnë ritualet haxhi dhe prerja e kurbanit. Edhe sot kemi pasur përfaqësues tanë që iu janë bashkuar haxhillëkut. Të përgjigjemi o Zoti im. Falënderimi vetëm ty të takon. Ty të takon sundimi. Haxhi është një nga shtyllat e fesë islame”.
“Njëri nga adhurimet që na afron më shumë me xhenetin dhe falje e mëkateve. Haxhi ka dobi dhe vlera të mëdha për besimtarë. Kur njeriu kthehet me zemër e afërsi me Zotin ndryshojnë shumë gjëra. Afrimi te Zoti arrihet me namaz dhe agjërim e adhurime të tjera”.
Me rastin e festës së Kurbam Bajramit, Kryesia e BIK, si tradicionalisht organizon pritje përurimi në selinë e Kryesisë nga ora 9:00-12:00.
Kjo festë vjen pas kryerjes së haxhit dhe shoqërohet me therjen e kurbanit, raporton EO.
Jahir Bekteshi nga Prishtina thotë se Bajramin e presim me gëzim, duke shtuar se vitin tjetër do të presë Kurban, kjo shkaku i çmimeve të larta.
“Bajramin e presim me gëzim dhe qysh osht mas miri. Për ata mujm mu anku. Por sa i përket festës si festë në mënyrë tradicionale gjithmonë e kemi festuar dhe po e festojmë. Kurban këtë vit s’kom pre. Vitin tjetër kësmet ko me pre Kurban.
E Faik Ajvazi ka një lutje më të veçantë për këtë festë. Ai bënë thirrje që të lirohen ushtarët që e kanë çliruar Kosovën.
“Kurban bajramin kom me prit qysh o mas miri për musliman. Na kemi lutje te zoti që të na lirojnë ushtarët që na kanë çliru këtë vend tonë e sot e festojmë kurban bajramin. Vështirësitë janë për pleq se nuk kanë shumë pare dhe nuk osht pensioni i mirë. Sot do të prej kurban kësmet”, tha Ajvazi.
Fjala e plotë e Myftiut të Kosovës, Naim Tërnava, me rastin e festës së Kurban-Bajramit:
Të nderuar vëllezër e motra!
Sot është ditë feste, feston bota mbarë. Këtë festë e karakterizojnë edhe dy ibadete – rituale që edhe më, ia ngritin vlerën kësaj feste: haxhi dhe prerja e kurbanit. Edhe sot, në rrafshnaltën e Arafatit kemi përfaqësuesit tanë të cilët iu bashkuan një numri të madh të haxhive nga bota mbarë, me një qëllim të vetëm duke thirrur: “Të përgjigjemi O Zoti im , të përgjigjemi! Të përgjigjemi Ty që nuk ke rival, të përgjigjemi! Falënderimi vetëm Ty të takon, derisa mirësia është vetëm prej Teje. Ty të takon sundimi! Ti nuk ke rival, të përgjigjemi!”
S’ka dyshim se haxhi është një nga shtyllat e fesë sonë islame, dhe një nga obligimet më të dashura të Zotit për njeriun, është njëri nga adhurimet që njeriun e afron më shumë me xhenetin dhe me mundësinë e faljes së mëkateve, ia pastron shpirtin, rritë nderin, respektin dhe dashurinë ndërmjet njerëzve, duke e vlerësuar njeriun si krijesën më të përsosur që ka krijuar Zoti xh.sh..
Haxhi pa pikë dyshimi ka dobi dhe vlera të mëdha për besimtarin. Haxhi ka një histori të hershme duke filluar nga Ibrahimi a.s. Zoti xh.sh. thotë:
“Dhe thirr ndër njerëzit për haxhin ata do të vijnë këmbësorë dhe kalorës me deve nga të gjitha viset e largëta, që të dëshmojnë dobitë e tyre dhe të përmendin emrin e Zotit në ditët e caktuara , për atë që i ka furnizuar me kafshë(për kurban). Hani nga ato (mishin) dhe ushqeni nevojtarin e varfër.” (El-Haxh, 27-28).
Kur njeriu kthehet nga ky udhëtim me zemrën që ka shijuar ëmbëlsinë e afërsisë me Zotin xh.sh., në jetën e tij ndryshojnë shumë gjëra, në raport me gabimet dhe mosbindjen e tij të deriatëhershme, ndaj haxhi rregullon rrugën e jetës dhe rregullon busullën orientuese në rrugën e drejtë e cila kënaq Zotin xh.sh.. Duhet theksuar se afrimi te Zoti xh.sh., arrihet edhe me haxh, arrihet me namaz, agjërim dhe adhurime të tjera. Çdo njeri i cili i përkushtohet Zotit, do të shijojë lloje të ndryshme të fshehtësive të adhurimit, kështu që zemra e tij do të qetësohet e rehatohet, do t’i lehtësohet vetmia dhe do të bëjë një jetë të qetë. Me problemet dhe shqetësimet e njeriut, preokupimet dhe presionet, dhimbjet që i shtrëngojnë gjoksin kur ai humb përqendrimin, e të gjitha këto, e bëjnë njeriun të fortifikuar në një përkushtim shpirtëror, ku ai dëshiron të jetë vetëm me Zotin, me lutjet dhe adhurimet e tij, ngase zemra, shpirti, shqisat, janë të drejtuara dhe të lidhura me Madhërinë e Zotit xh.sh..
Haxhi paraqet një ndër fazat më të larta të besimit në një Zot, dhe mohimit të politeizmit, paraqet sinqeritet në adhurimin e Zotit, andaj i tilli është përplot me mesazhe, mësime, urtësi e begati, të cilat frymëzojnë besimtarin për ta ndërtuar aspektin moral të jetës së tij, ku besimtari gjen domethënien dhe qëllimin e lartë në udhëheqjen e shpirtit të tij.
Haxhi sikur është një udhëtim drejt Zotit xh.sh., dhe një “arratisje” tek Ai, një ikje nga kjo botë në Mbretërinë Supreme, tek Shtëpia e Shenjtë, ku Zoti e bëri vend strehim, vend sigurie e lutjesh, bekimesh dhe përuljesh, vend i dritës me rituale që i përmbushin një sërë qëllimesh doktrinare, edukative dhe shpirtërore dhe Zoti e ka specifikuar këtë me kohë dhe vend të caktuar, dhe nisur nga kjo, e bëjnë këtë fe më madhështore dhe më humane për njerëzit.
Këtë festë të Kurban-Bajramit e karakterizon edhe vetë prerja e kurbanit në shenjë rikujtimi të sakrificës së Pejgamberit, Ibrahimit a.s., me birin e tij, Ismailin, i cili ishte i gatshëm që për Zotin të flijonte edhe birin e tij. Ndaj, Kurban-Bajrami na vjen si një rikthim dhe rikujtim i vlerave burimore që posedon feja jonë, na rikujton sakrificën, solidaritetin, ndihmën, humanitetin ndaj njerëzve që kanë nevojë, atëherë pse të mos ndihmojmë njëri-tjetrin edhe përmes prerjes së kurbanit, të gëzojmë fëmijët në nevojë, jetimët që tryeza e tyre së paku për këtë festë të jetë e begatë.
Zoti xh.sh. thotë: “Tek Zoti nuk arrin as mishi e as gjaku i tyre, por te Ai arrin bindja e juaj..” (El-Haxh-37)
Të nderuar vëllezër e motra!
S’ka dyshim se njeriu është krijesa më e përsosur që e krijoi Zoti xh.sh., mbi sipërfaqen e tokës, atë e krijoi dhe nuk e la të pa udhëzuar, ngase edhe vetë njeriu i parë Ademi a.s., ishte edhe i dërguari i Zotit xh.sh., për familjen dhe pasardhësit e tij. Zoti e udhëzoi për besim në Zotin Një, e mësoi me çdo gjë që shkon në të mirë të vetë natyrës së të qenit njeri. Zoti përmes dërgimit të pejgamberëve dhe librave të shenjtë na mësoi edhe për sjellje të mira dhe bashkëpunim ndërmjet njerëzve pa dallim vendi, gjuhe e race.
Islami, fe hyjnore nuk thërret për luftë, por për paqe, është kundër gjakderdhjes, vrasjeve, torturave, dhunimeve, shkatërrimit të infrastrukturës që njerëzit me mund e kanë ngritur për ta bërë një jetë sa më të qetë e më të lumtur. Është e padrejtë që popujve të ndryshëm, shteteve të ndryshme t’iu imponohet lufta e cila shkakton vrasje e shkatërrime. Njeriu ka mundësi që të gjykojë drejt dhe të shtrojë para vetes rrugën e miqësisë e vëllazërisë mes popujve e shteteve të ndryshme, pavarësisht pozitës, racës, gjuhës dhe potencialit që posedon ai popull, apo të mirat e pasurit që posedon toka dhe nëntoka ku ai jeton, duke e çmuar dhe konsideruar atdhe të vetin. Jemi dëshmitarë të luftërave dhe shkatërrimeve të shumta nëpër vende të ndryshme. Kemi përgjegjësi të mëdha para vendit, popujve nga vijmë dhe mos të harrojmë se kemi përgjegjësi edhe para Zotit-Krijues Suprem kur të dalim për të dhënë llogarinë përfundimtare për punën tonë gjatë jetës në këtë botë.
Kur lexojmë ajetet e Kuranit, shohim një numër të madh të ajeteve të cilat flasin për një detyrë themelore për njeriun në këtë jetë, e, që është detyra e rindërtimit të tokës dhe investimi i gjërave të mira që Zoti i ka depozituar në këtë gjithësi, në stolisjen e saj e jo shkatërrimin e saj.
Zoti xh.sh. thotë “…Ai ju krijoi nga toka dhe ju bëri banues të saj…” (Hud-61).
Shohim se qëllimi i këtij ajeti është rindërtimi mbi tokë, Zoti kërkoi ta ndërtojmë infrastrukturën e nevojshme mbi tokë në mënyrë që ta popullojmë atë. Ai krijoi këtë univers dhe fali pasuri e begati të shumta, pastaj autorizoi njeriun që t’i shfrytëzojë këto, në mënyrë që të krijojë kushte sa më të mira për një jetë solide e të ndershme mbi sipërfaqen e tokës. Ndaj, edhe shumë ajete flasin për nënshtrimin e gjithësisë ndaj njeriut, dhe nga kjo mësojmë se ekzistojnë të gjitha mundësitë e stolisjes së tokës dhe të gjitha janë në dispozicion të tij.
Islami gjithherë ka urdhëruar dhe thirrur për mbrojtjen e planetit Tokë, ruajtjen dhe kujdesin e mjedisit, ruajtjen dhe mirëmbajtjen e përbërësve të jetës dhe shfrytëzimin e Universit në të gjitha fushat në të mirë të njerëzimit mbarë.
Zoti xh.sh. thotë: “Mos bëni çrregullime në tokë, pas rregullimit të saj …” (El-Araf-56).
Ndërtimi dhe rregullimi i Tokës është detyrë njerëzore e cila buron nga urdhri i Zotit xh.sh.. S’ka dyshim se Zoti i ka krijuar njerëzit dhe xhinët që t’i nënshtrohen dhe adhurojnë Zotin-Krijues të vetëm, duke e urdhëruar njeriun të bëjë vepra të mira duke angazhuar mendjen në dobi të njerëzimit.
Njeriu duhet të hulumtojë në hapësirë, për të zbuluar sekrete të shumta të saj, dhe të zbulojë se çfarë është e dobishme dhe çfarë e dëmshme për njeriun, dhe të gjitha këto në kuadër të përulësisë ndaj Zotit xh.sh., duke mos u habitur dhe bërë arrogant me këtë mendje e cila mund ta tërheq njeriun shpeshherë edhe në shkatërrim.
Zoti xh.sh. thotë:
“ A nuk e dini ju se Zoti nënshtroi për të mirën tuaj ç’ka në qiej e ç’ka në Tokë dhe plotësoi ndaj jush të mirat e Tij të dukshme e të fshehta…”. (Lukman, 20)
Vëllezër të nderuar!
Në këtë mëngjes të bukur, nga ky vend i shenjtë dhe para kësaj mase të madhe besimtarësh, më lejoni që nga thellësia e shpirtit dhe e zemrës, t’ju uroj festën e Kurban-Bajramit të gjithë besimtarëve të besimit islam në Kosovë, brenda trojeve tona dhe krejt mërgatës nëpër botë.
Me fat ju qoftë festa e Kurban – Bajramit!