Falja e dy personave në rastin “Bllaca”, mund t’i hapë probleme Thaçit në Speciale

Prishtinë | 09 Nën 2020 | 19:35 | Nga Ekonomia Online

Falja e një pjese të dënimit për dy të dënuarit në rastin “Bllaca” nga ish-presidenti Hashim Thaçi, vetëm një ditë para se atij t’i konfirmohej aktakuza, i është përmendur atij në seancën e parë para gjykatësit të Procedurës Paraprake pranë Dhomave të Specializuara.

Pas kërkesës së avokatëve që Thaçi të lirohej përkohësisht, prokurori i dhomave të specializuara faljen e këtyre dy të dënuarve e ka përmendur si arsye të mjaftueshme që Thaçi të vazhdojë të qëndrojë në paraburgim, raporton KOHA.

“Ne mezi presim që t’u përgjigjemi detajisht çdo parashtrese për ndalimin ose faktorët që duhet t’i marr parasysh gjykata për të vlerësuar rrezikun për procesin gjyqësore dhe sigurinë e viktimave, dëshmitarëve dhe personave të tjerë. Dhe do ta trajtojmë të gjithë këto në detaje. Nga çështjet të cilat tradicionalisht që përfshihen si p.sh. natyra dhe seriozitetin e aktakuzave ndërhyrjet apo të cilët hedhin dritë mbi rrezikun e mundshëm të ndërhyrje përfshirë këtu ngjarjet e kohëve të fundit si p.sh. faktin që fare në ditën e fundit përpara se ta fillonte procesi i arrestit u informuam për faljen e dy personave të cilët ishin dënuar për vrasje e një bashkëpunëtori të pretenduar të dënuar në 2012 dhe pastaj ishin larguar në drejtim të paditur , këto janë çështje që do të trajtohen në detaje ne procesin gjyqësor dhe në vazhdim të proces”, ka thënë Alan Tieger, prokuror i Dhomave të Specializuara.

Por ish-presidenti Thaçi përveçse ua fali një pjesë të dënimit këtyre dy të dënuarve, ai gjithashtu kishte vendosur që t’u falte më shumë vite të dënimit.

Ani pse Komisioni Thaçit ia kishte rekomanduar që Shpresim Ukës t’ia falte vetëm një vit të dënimit, Thaçi Ukës ia fali edhe 3 vjet më shumë nga dënimi i mbetur.

Njëjtë Thaçi veproi edhe me të dënuarin tjetër Bekim Sylaj.

“Komisioni më 26 dhe 27 është mbledh dhe unanimisht i ka rekomanduar presidentit për falje këta persona. Ne si komision i kemi rekomanduar Presidentit që të falë 5 persona. Për Bekim Sylaj, arsyetimi është sjelle e mirë gjatë kohës së mbajtjes, progres i theksuar në risocializim. Gjithashtu vlen edhe për Shpresim Ukën. Këta dy i kemi rekomanduar me i fal nga një vit”, ka deklaruar Hasan Shala, kryesues i Komisionit për Vlerësimin dhe Shqyrtimin e kërkesave për falje.

E ndonëse neni 4 i Ligjit për Faljen thotë se personi i cili qëllimisht i shmanget ekzekutimit të dënimit nuk ka të drejtë faljeje, Komisioni i kishte rekomanduar Thaçit që t’i falte Shpresim Ukën e Bekim Sylën, e të cilët për disa vite me radhë ishin në arrati pasi ishin dënuar për vrasje të rëndë.

Por Shala thotë se ata si komision nuk kishin informata për këtë.

“Nëse kanë vetëm akuza nuk mund të themi që janë recidivist nëse kemi një vendim të plotfuqishme atëherë mund të themi që ka recidivizëm këtu vlen prezumimi i pafajësisë. Një informata të tillë nuk e kemi gjatë shqyrtimit të kërkesave të tyre për arrati. Në këtë rast afër 30 kërkesa i kemi shqyrtuar”, ka shtuar Shala.

Në Qendrën për Rehabilitimin e të mbijetuarve të torturës, e cila monitorin procesin e faljes së dënimeve, ngrenë dyshimet mbi zbatimin e kritereve të faljes, derisa thonë se mungon transparenca në këtë proces.

“Në proceset e falje jo vetëm të tani por gjithmonë ka pa ankesa për shkak të jo transparencës. Të dënuarit edhe pse kanë bërë ankesa shpesh nuk janë trajtuar edhe vendimet dekrete për shpallje të faljes nuk janë arsyetuar sa duhet. Është një proces në të cilin besimi i opinionit është në nivel më të ulët. Falja duhet të jetë gjithëpërfshirëse. E kemi parë se të miturat pak kanë përfituar edhe femrat. Ideja e faljes është që të ketë kritere që plotësohen dhe kriteret përjashtuese. Ligji nuk i ka përcaktuar të gjitha kriteret. Kur jemi shqyrtimi me rrezikshmëri të lartë recidivizmi duhet ë merret parasysh mandej vrasjet e rënda duhet të merren shumë në konsideroj si dhe keqpërdorimi seksual në moshën 16 vjeç”, ka deklaruar Alban Muriqi nga Qendra për rehabilitimin e të mbijetuarve të torturës.

Një ditë para se Hashim Thaçit t’i konfirmohej akuza nga Gjykata Speciale ai përmes një dekreti ua fali një pjesë të dënimit 5 të dënuarve.

Në mesin e tyre edhe të dënuarve për vrasjen e Ibush Kllokoqit, Shpresim Uka e Bekim Sylaj, të dënuar në vitin 2012 nga gjykatës të EULEX-it.

Në mesin e personave që presidenti i fali një pjesë të dënimit është edhe Ilir Morina i dënuar me 20 vjet burgim , të cilit presidenti ia fali 2 vjet burgim.

KOHA ka tentuar të vërë kontakt edhe me ministrin e Drejtësisë, Selim Selimi, lidhur me listën e personave të cilët i janë dërguar për miratim Komisionit, por ai nuk e ka hapur telefonin.

Të ngjashme