False flag: Mision i dështuar i Vuçiqit

Prishtinë | 11 Dhj 2025 | 08:48 | Nga Arben Fetoshi

Në fillim e “fajëson” Policinë e Kosovës me një raport të BIA-s, pastaj e akuzon Qeverinë se po e përdorë sulmin për ta justifikuar shtypjen e serbëve, ndërkohë mashtron duke ofruar bashkëpunim në procesin e hetimeve dhe në fund s’dëgjohet më kur aktakuza e nxjerr lakuriq përgjegjësinë e shtetit të tij.

Ky është Aleksandër Vuçiq, “hiena” e Millosheviqit, që orkestron plane pafund për ta minuar Kosovën, dhe i cili demaskohet brutalisht për sulmin terrorist ndaj kanalit të Ibër-Lepencit (2024) në Varragë të Zubin Potokut.

Një shpërthim me qëllim destabilizues për shkak të pasojave potenciale në furnizimin me ujë të disa komunave dhe turbinave të Korporatës Energjetike të Kosovës, i realizuar si operacion “false flag” për ta fajësuar Kosovën dhe për ta mashtruar komunitetin ndërkombëtar.

Në njëvjetorin e sulmit, mediat ishin të ndara sa i përket interesimit: në njërën anë mediat shqiptare e të huaja që kërkonin të vërtetën, në anën tjetër ato serbe që i kornizonin hetimet si ngecje për shkak të “mungesës” së provave dhe si përpjekje e “dështuar” e Prishtinës për ta fajësuar Beogradin (Kosovo Online, 29.11.2025).

Mirëpo, vetëm pak ditë pas njëvjetorit (09.12.2025), Prokuroria Speciale e Kosovës shpalli aktakuzën ndaj tre të dyshuarve (Jovan e Dragisha Viqentijeviq dheIgor Dimiq) për “rrezikim të rendit kushtetues, nëpërmjet veprave terroriste dhe spiunazhit”.

“Vonesa” një vjeçare e hetimeve u përdor intensivisht nga Serbia me metodën “hidh gurin e fshih dorën”, duke investuar në konfuzionin e parnerëve ndërkombëtarë përmes emrave të “zbuluar” nga BIA, dhe të opinionit kosovar përmes fluskolave të interpretimit si akt i mundshëm për kalkulim elektoral.

Por, të gjithë këtë investim e shumëzuan me zero Shtetet e Bashkuara të Amerikës, me ekspertizën gjeologjike të Byrosë Federale të Hetimeve (FBI) për mostrën e dheut në çizmet e vëllezërve Viçentijeviq.

Përfshirja e FBI-së në hetim eliminon çdo hapësirë manovrimi të Serbisë dhe çdo dilemë të institucioneve ndërkombëtare sa i përket autorësisë dhe ndërlidhjes së tyre me strukturat serbe të sigurisë.

Rezultatet e ekspertizës konfirmojnë jo vetëm sulmin e organizuar terrorist ndaj infrastrukturës kritike, por edhe përgjegjësinë e drejtpërdrejt të Serbisë, përmes kolonelit Jovan Viçentijeviq, punëtor i Agjencisë Informative Ushtarake (VOA), inskenimit të një organizate fiktive (Komiteti Kombëtar për Lirimin dhe Mbrojtjen e Trojeve Shqiptare) me fotografi të eprorëve të UÇK-së, si dhe arsenalit të armëve, municionit e uniformave serbe dhe ruse të zëna gjatë bastisjes në shtëpitë e të akuzuarve.

Prandaj, komuniteti ndërkombëtar duhet ta zbatojë atë që ka thënë Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte.

Serbia tani duhet të japë llogari edhe për sulmin terrorist në kanalin e Ibër-Lepencit.

Serbia tani duhet të ndalet, duke e “bombarduar” edhe një herë me të vërtetën e Kosovës.

Mbajtja në fuqi e masave ndëshkuese ndaj Kosovës është “shpërblim” për operacionet hibride të Beogradit dhe Moskës.

Të ngjashme