Familja dhe avokati i Astrit Deharit ka mirëpritur vendimin e Kryeprokurorit të Shtetit, Aleksandër Lumezi, që rastin e vdekjes së Deharit ta kalojë në Prokurorinë Speciale të Republikës së Kosovës.
Avokati Tomë Gashi, në një intervistë për EkonomiaOnline, tha se Prokuroria Speciale tani më ka fakte të mjaftueshme se ku duhet t’i nisë hetimet për rastin Dehari.
Gashi tha se edhe familja e Astrit Deharit, beson në kapacitetet e Prokurorisë Speciale për t’i zbardhur në tërësi shkaqet e vdekjes së djalit të saj.
“Ne jemi njoftuar sot nga Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit, Aleksandër Lumezit, që Prokuroria Speciale e Kosovës me kërkesë të tij e ka marrë rastin e vrasjes së Astrit Deharit nga zyra Prokurorisë Themelore në Prizren dhe tani më i gjithë rasti është transferuar në Prishtinë. Ne besojmë që kërkesa ka qenë e tillë që do duhej të zhvillohen hetime për vrasësit e Astrit Deharit, kushdo që janë ata, pastaj për të identifikuar kush i ka shtyrë në vrasje ata. Ne besojmë që Prokuroria Speciale e Kosovës ka kapacitete të tilla të i identifikojë këta persona pasi të gjithë të implikuari dihen me emra e mbiemra, së paku dihen se kush kanë qenë ata që e kanë hetuar rastin dhe kush kanë qenë ata për të cilët dihen që thjesht janë identifikuar si persona që kanë dashur ta mbyllin rastin si kinse vetëvrasje”, tha Gashi.
Gashi tha se tani më të gjithë ata që u morën me ndjekjen e rastit “Dehari”, nuk do ta kenë edhe njëherë mundësinë ta kenë në dorë një rast të tillë.
Sipas tij për 3 vjet rresht u manipulua me rastin e Astrit Deharit dhe me të gjitha rrethanat e vdekjes së tij.
“Ne mendojmë që prokurori i shtetit mund të kërkojë në të ardhmen edhe implikimin e prokurorëve amerikan sic ka deklaruar ai në javën e kaluar dhe besojmë që nuk do duhej të ishte ndonjë punë shumë e rëndë për identifikimin e asaj se kush ka qenë i implikuar në rastin e vrasjes së Astrit Deharit dhe që të gjithë të dalin para drejtësisë, mendoj që duhet të hetohen edhe gardianët që kanë qenë aty por edhe zyrtarët e policisë të regjionit të regjionit të Prizrenit të hetuesit në këtë rast, të cilëve më nuk u ipet mundësia ligjore që të punojnë fare në këtë rast, për shkak se ata qëllimisht kanë dashtë ta devijojnë rastin krejtësisht duke pretenduar se kemi të bëjmë kinse me vetëvrasje”, thotë ai.
Tutje Gashi thotë se që nga vdekja e Astrit Deharit e deri më sot, ka pasur dëshmi të mjaftueshme në trupin e tij, se ai u vra dhe nuk u vetëvra.
“Maltretimet fizike dhe psikike kanë quar deri tek vrasja e Astrit Deharit dhe rastin kanë tentuar të mbyllin për 3 vite por nuk kanë mundur pasi vetë trupi i Astrit Deharit ka pas gjurmë të mjaftueshme për ta vërtetuar dhunën që është ushtrua ndaj tij dhe e gjithë dhuna ka qenë dhunë ku në trupin e tij janë pa plagë vetëmbrojtëse që në gjuhën juridike i bie vrasje”, thotë ai.
Astrit Dehari, vdiq më 5 nëntor të vitit 2016 në rrethana ende të paqarta në burgun e Prizrenit, ndërsa për vdekjen e tij para pak ditësh mbërriti edhe ekspertiza e kryer nga Instituti Zviceran, e i cili nuk përjashtoi vrasjen e tij.