Familja Jashari nuk i pëlqeu propozimet e mëparshme, Rama njofton rihapjen e konkursit për projektin e sheshit “Adem Jashari”

Prishtinë | 09 Jan 2025 | 11:33 | Nga Ekonomia Online

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka bërë të ditur se konkursi për prezantimin e projekteve për sheshin monumental “Adem Jashari”,  do të hapet përsëri këtë muaj, raporton Ekonomia Online.

Ai ka njoftuar se asnjë nga projektet e paraqitura në konkursin e kaluar, nuk janë vlerësuar si të përshtatshëm nga përfaqësuesit e familjes Jashari.

Komuna, sipas tij e ka buxhetin prej 150 mijë eurove që ta rihap konkursin për këtë çështje.

“Sheshi monumental i Adem Jasharit ne e kemi pasur konkursin edhe kemi pasur projekt propozime, si pjesë e procesit ne kemi qenë sensitiv edhe ndaj çështjes dhe familjes së Adem Jasharit, edhe e kemi pasur edhe reprezentuesin e familjes ku në bazë të procesit nuk e kanë parë familja asnjë projekt që meriton me ec përpara edhe për këtë arsye nuk kemi ec përpara, gjithë ato projekte që kanë qenë. Buxhetin e kemi 150 mijë euro që ta rihapim konkursin prapë dhe këtë do ta bëjmë në këtë muaj”, ka thënë ai.

Ai ka folur edhe ne lidhje me lëshimin e lejes së ndërtimit për qendrën tregtare “Central Park”, për të cilën ka thënë se leja është lëshuar nga Drejtoria e Urbanizmit duke respektuar ligjet dhe rregulloret.

“Sa i përket lejes për Central Park, unë informatat që i kam, Drejtoria e Urbanizmit ka lëshuar leje në bazë rregullative. Nuk jam në dijeni që ka diçka jashtëligjore”, ka thënë ai.

Të ngjashme