Familjarë të shtetasve turq që janë arrestuar nga Policia e Kosovës dhe sipas raportimeve ata janë depërtuar për në Turqi, janë duke protestuar para Qeverisë së Kosovës dhe po kërkojnë takim me kryeministrin Ramush Haradinaj.
Yasemin Karabina, bashkëshortja e Yusuf Karabina i cili është arrestuar dje tha para medieve se kërkesa për takim është bërë përmes avokatit të tyre, raporton Ekonomia Online.
Ajo tha se sipas informatave jozyrtare të tyre bashkëshortët e tyre gjenden ende në Kosovë dhe sot gjatë ditës pritet të depertohen në Turqi.
“Ata kanë hapur këtu shkolla për të edukuar, nuk kanë bërë asgjë të gabueshme. Shkarkimet e kujtdo nuk na interesojmë. Duam informata. Prej momentit kur ka ndodhur puçi në Turqi, ambasada nuk ka kryer kurrëfar shërbimi ndaj nesh”.
Karabina ka thënë se do të qëndrojnë para Qeverisë derisa të takohen me kryeministrin.
Ajo shtoi se ata janë edhe shtetas të Shqipërisë dhe kërkoi që edhe autoritetet shqiptare të ndërhyjnë në këtë rast.
“Kemi disa dashamirës tanë në Kosovë që po na njoftojnë se ata janë në Kosovë, nuk po dëshirojmë që ata të shkojnë në regjimin e Erdoganin, nëse ata kanë ndonjë faj shteti i Kosovës të merret. Jemi të mërzitur dhe po presim lajm prej tyre. Përpos mirësisë në Kosovë, nuk kemi bërë asgjë tjetër. Ne jemi edhe shtetas të Shqipërisë. Kërkojmë të ndërhyjnë autoritetet shtetërore të Shqipërisë dhe Kosovës, ashtu siç u dalin zot shtetasve shqiptarë dhe kosovarë duam që të na dalin zot edhe neve”.
Mustafa Sabri Gunakan, i biri i të arrestuarit Hasan Husein Gunakan, ka thënë para medieve se dyshojnë se familjarët e tyre gjenden në ambasadën turke në Prishtinë.
Ai ka shtuar se nuk dëshiron të besoj që një gjë e tillë po ndodh në Kosovë, raporton EO.
“Dje në mëngjes e kam marrë lajmin përmes telefonit, kanë shkuar në shkollë dhe e kanë marrë, ende nuk e dimë pse e kanë marrë, ku janë dhe në çfarë gjendje janë. Po kërkojmë informacion. Po dyshojmë se mund të gjenden në ambasadën turke. Në një shtet si Kosova të ndodhë diçka e tillë nuk po dua të besoj. Të gjithë njerëzit në Kosovë që na kanë dal zot dje dua t’i falënderoj”.
Leotrim Syla, avokat i Cihan Özkan ka thënë se nga burimet e tyre kanë mësuar se tre personat e arrestuar në Gjakovë gjenden në aeroportin e Prishtinës, dy të tjerët që janë arrestuar në Prishtinë gjenden në ambasadën turke në Prishtinë.
Ndërsa sipas tij për nuk dihet vendndodhja e Osman Karakaj.
“Nga burime të brendshme të institucioneve “Gylistan” 3 persona të arrestuar në Gjakovë gjenden në aeroport të Prishtinës, 2 të tjerë qe janë arrestuar në Prishtinë gjenden ne ambasadën turke në Prishtinë. Ndërsa për doktorin Osman Karakaj nuk dihet ende se ku është vendndodhja e tij”.
Për këtë çështje kryeministri Ramsh Haradinaj ka shkarkuar ministrin e Punëve të Brendshme, Flamur Sefaj dhe drejtorin e AKI-së Driton Gashi.
Dje janë arrestuar krerët dhe profesorët e “Gulistan” dhe kolegjit “Mehmet Akif”.
Drejtori Gjeneral i këtij institucioni, Mustafa Erden është arrestuar gjatë rrugës sa ishte duke shkuar në punë, dhe sipas informacioneve nga ky institucion arrestimi është realizuar në prani të familjarëve të tij.
Në një situatë pothuajse të ngjashme është arrestuar edhe zëvendësdrejtori, Yusuf Karabima.
Në këtë aksion policor janë arrestuar edhe dy profesorë Xhihan Ozan dhe Hasan Hysein Dinahan si dhe Drejtori i Kolegjit në Gjilan, Kahraman Denirez.
Këta të fundit janë marrë nga policia nga objekti shkollor.
Nga ky institucion kanë bërë të ditur se nuk kanë pasur njohuri për arsyet e arrestimeve dhe se nuk dihet lokacioni të arrestuarve.