Qendra Burimore për Personat e Zhdukur, në shënimin e 27 Prillit, Ditës së të Pagjeturve, kanë vendosur kurora me lule te memoriali kushtuar personave të pagjetur, raporton Ekonomia Online.
Nga aty, familjarë të të pagjeturve adresuan kritika ndaj institucioneve të Kosovës dhe atyre ndërkombëtare, duke thënë se fati i të pagjeturve nuk po trajtohet me prioritet.
Bajram Çerkini nga Qendra Burimore për Personat e Zhdukur, u ka bërë thirrje autoriteteve që të merren me këtë proces, mirëpo ka thënë se e di që “kjo çështje nuk do të kryhet shpejt”.
“Unë e di qe kjo çështje nuk do të kryhet shpejt por kemi plagë të pashërueshme që 23 vjet. Ne ju kemi drejtuar kësaj ndërtese (Qeverisë) dhe ndërkombëtarëve dhe ende po shkojnë punët ngadalë. Unë kam tri kërkesa dhe po na bëhen monoton që 23 vjet. Jemi duke u munduar m’i than politikës se kjo pjesë është humane. Nuk janë pak, 1619 vet ende të pagjetur nuk janë pak kritikat e mëdha. Bashkësia ndërkombëtare i ka adresat që nuk po donë me na ndihmu”.
Qerkini pati kritika edhe ndaj kryesuesit të Komisionit Qeveritar për Persona të Zhdukur, Andin Hotit. Ai kërkoi që të bëhet presion ndërkombëtarë për zbardhjen e fatit të të pagjeturve.
“Nënat tona, baballarët janë duke pritur që 23 vjet dhe na i kemi çua duart e nuk po dimë çka të bëjmë. Duhet politika të largohet dhe të gjithë i lusim të merren me këtë çështje më seriozisht që të gjinden të zhdukurit. Të bëhen presion ndërkombëtarë sepse ata duhet me na ndihmu. Kjo është e ka kap politika si Bruksel edhe Beograd dhe nuk po na lërë të shkojmë përpara. E vërteta është se kemi kërkesa të familjarëve se nuk po bëhet asgjë për zbardhjen e fatit të tyre. Brukseli e kanë vendosur të pagjeturit në pikë të parë por aty ka mbetur. Asnjë hap nuk është bërë prej asaj dite që kanë thënë se duhet të flitet për persona të pagjetur”, tha Qerkini.
Kryetari i Komisionit Qeveritar për Personat e Zhdukur në luftën e fundit në Kosovë, Andin Hoti, ka kërkuar të martën, 26 prill, që bashkësia ndërkombëtare të rrisë presionin dhe të kushtëzojë Serbinë për të ofruar informacione për personat e pagjetur.
“Kërkesa jonë e parë është kushtëzimi ndaj Serbisë. Kërkesa jonë e dytë ka qenë garancia e Bashkimit Evropian që të ketë një afat kohor kur Serbia detyrohet të japë informacionet për personat e zhdukur, dhe kërkesa e tretë është për hapjen e të gjitha dokumenteve sekrete të Serbisë, të kohës së luftës në Kosovë”, ka thënë Hoti.