Familjarët e viktimave që vdiqën nga koronavirusi në Wuhan të Kinës, thonë se autoritetet kineze kanë fshirë një grup në mediat sociale që ata kanë pasur dhe po u bëjnë presion që të mos flasin, teksa ekipi i Organizatës Botërore të Shëndetësisë është në këtë qytet për të kryer hetime lidhur me origjinën e pandemisë.
Dhjetëra familjarë të viktimave janë bashkuar në platformat online, për të kërkuar përgjegjësi nga zyrtarët e Wuhanit, të cilët ata i fajësojnë se nuk e kanë trajtuar siç duhet situatën, kur para një viti u regjistruan rastet e para me koronavirusin e ri, shkruan AFP.
Këta familjarë të viktimave nga COVID-19, thonë se përpjekjet e tyre për të kërkuar përgjegjësi, deri më tani janë penguar nga zyrtarët.
Por, ditët e fundit, presioni ndaj tyre është rritur, me gjasë për të shmangur çdo kritikë gjatë hetimit që do të kryejë grupi i OBSH-së.
Anëtarët e OBSH-së, që do të hetojnë origjinën e COVID-19, hypin në një autobus, pasi kanë arritur në aerportin e Wuhanit. 14 janar, 2021.
Anëtarët e OBSH-së, që do të hetojnë origjinën e COVID-19, hypin në një autobus, pasi kanë arritur në aerportin e Wuhanit. 14 janar, 2021.
Një grup në platformën sociale WeChat, që përdorej nga 80 deri në 100 anëtarë të familjeve të viktimave, para dhjetë ditësh është fshirë pa asnjë arsyetim, tha Zhang Hai, i cili ishte anëtar i këtij grupi dhe njëherësh një kritik i zëshëm ndaj menaxhimit të pandemisë nga autoritetet kineze.
“Kjo tregon se (autoritetet kineze) janë shumë nervozë. Ata janë të frikësuar se këto familje do të kontaktojnë me ekspertët e OBSH-së”, tha Zhang, 51 vjeç, babai i së cilit vdiq më herët gjatë shfaqjes së pandemisë, nën dyshimin se ishte i infektuar me koronavirus.
Ekspertët e OBSH-së arritën në Wuhan më 14 janar dhe filluan punën më 28 janar, pasi kanë dalë nga karantina 14-ditore.
“Kur OBSH-ja erdhi në Wuhan, (autoritetet) me forcë shkatërruan (grupin). Si rezultat i kësaj, ne kemi humbur kontaktin me shumë anëtarë të grupit”, shtoi Zhang.