Shefi i Milanit, Marco Fassone ka thënë se është i kënaqur me fillimin që ka bërë menaxhmenti i ri i klubit.
Milani nuk ka humbur kohë në rikonstruktimin e strukturave menaxhuese dhe ka shpenzuar 100 milionë euro në lojtarë të rinj. Fassone është i kënaqur me progresin që ka bërë konsorciumi kinez, të cilin ai e udhëheq.
“Ky 5 korrik është datë e rëndësishme, sot fillon puna e vërtetë për Milanin”, ka thënë ai në një konferencë për media, transmeton koha.net.
“Për këto 80 ditë klubi ka nisur rrugëtimin e ri dhe jam i kënaqur me mënyrën se si ka shkuar. Ne filluam punën në dy aspekte: e para ishte që të zgjerojmë skuadrën dhe ta përmirësojmë atë. Kemi kompletuar dy të tretën e objektivave tonë”, ka shtuar ai.
“Pastaj janë pozitat menaxhuese. Kemi gjetur figurat për të kompletuar strukturën e korporatës sonë. Së shpejti do të përqendrohemi në tregun kinez. ‘Milan China’ është projekt që do të fillojë shpejt dhe do të jetë i rëndësishëm për ne”.