E ardhmja e Gareth Bale është e pasigurt, pasi huazimit të tij në Tottenham nga Real Madridi po i vjen fundi.
Bale tha kohë më parë se qëllimi i tij është të kthehet në Madrid për ta përmbushur vitin e fundit të mbetur në marrëveshjen e tij me Realin.
Nuk është ende e qartë nëse Tottenhami dëshiron ta mbajë atë në klub përtej këtij sezoni, pasi është në kërkim të një trajneri të ri pas shkarkimit të Jose Mourinhos.
Daily Mail raporton se presidenti i Tottenhamit, Daniel Levy, do t’ia lërë në dorë trajnerit të ri të vendosë për fatin e Bale.
Mundësia mbetet që Bale ta kalojë edhe një vit në huazim nga Real Madridi dhe pastaj t’i bashkohet Tottenhamit përfundimisht në verën e vitit 2022.
Për ta shfrytëzuar këtë mundësi, klubit londinez i duhet pajtimi i Bale, i cili nuk është i parapëlqyer më në Madrid.