Bale: E di ku do të luaj në sezonin e ri, por s’tregoj sepse shkaktoj rrëmujë

Prishtinë | 24 Maj 2021 | 09:15 | Nga Ekonomia Online

Gareth Bale e ka pranuar se ka vendosur se ku do ta vazhdojë karrierën nga sezoni i ardhshëm, por nuk dëshiron të tregoj se në cilin klub, në mënyrë që, siç tha ai, mos shkaktojë ndonjë rrëmujë.

Bale e kaloi këtë sezon i huazuar në Tottenham nga Real Madridi, por ende nuk është e qartë nëse do të qëndrojë te klubi i Premierligës, do të kthehet në Spanjë apo do të shkojë diku tjetër, transmeton Gazeta Express.

Ylli uellsian shënoi dy gola në fitoren tronditëse të Spurs 4:2 kundër Leicester City në ditën e fundit të sezonit në Premierligë të dielën.

Kjo mund të ketë qenë ndeshja e fundit e tij për klubin londinez.

Duke folur për të ardhmen e vet pas ndeshjes, Bale tha: “Do të ndodhë pas Euro 2020. E di se çfarë do të bëj, por nëse them ndonjë gjë do të shkaktoj rrëmujë”.

I pyetur se kur do ta zbulojë vendimin për të ardhmen, Bale shtoi: “Kurdo që vendos unë. Nuk po mendoj për asgjë tani, jam i përqendruar ta mbaroj sezonin fuqishëm. Nuk po mendoj asgjë tjetër përveç Uellsit tani”. /

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme