Shtatë milionë euro po i kërkon Fatmir Limaj nga shteti i Kosovës si kompensim material për procesin e padrejtë gjyqësor ndaj tij në rastin “Kleçka”.
Limaj është përballur tri herë radhazi me drejtësinë me rastin Kleçka, ku akuzohej për krime lufte gjatë vitit 1999.
Vërtetimi i pafajësisë së tij, ka bërë që Limaj të kërkojë kompensim të dëmit nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës me afër 7 milionë euro, raporton KTV.
Avokati i Limajt në këtë rast, Tahir Rrecaj i ka thënë Kohavisionit se Limaj këtë kërkesë e ka bërë vetë, bazuar në kompensimin e dëmit për qëndrimin e paligjshëm në paraburgim dhe arrest shtëpiak.
“Kërkesa e Limajt për kompensimin e dëmit material është bërë para më shumë se dy muajsh në KGJK. Nëse ky këshill nuk e pranon këtë kërkesë ne do ta padisim gjykatën”, ka thënë Rrecaj.