I posa emëruari, zëdhënës i PDK-së, z. Faton Abdullahu, ka falënderuarin kryetarin e PDK-së, Memli Krasniqin për besimin e dhënë, njëherazi, të gjithë kontribuuesit e lirisë, “në veçanti ata që padrejtësisht sot janë privuar nga liria dhe nuk janë këtu me ne, duke ju siguruar se puna dhe përkushtimi im, do të jenë në shërbim të interesit nacional, vizionit të subjektit politik, PDK-së dhe kulturës demokratike”.
Z. Abdullahu ka theksuar po ashtu se “kjo përgjegjësi, në këtë detyrë të re, për mua, bëhet edhe më e madhe kur e mendoj se jam bërë zëdhënës i subjektit politik i cili që nga paslufta bart meritën kryesore të shtetndërtimit, zhvillimit dhe demokratizimit të Kosovës, në themelet e së cilës qëndrojnë breza të tërë veprimtarësh, aktivistësh dhe kontribuesish për shtetin dhe kombin”.
Postimi i plotë i Faton Abdullahut:
Vendimi i Kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës z. Memli Krasniqi, për të më emëruar zëdhënës të Partisë, më ka nderuar shumë me besimin për ta kryer një detyrë sa të rëndësishme aq edhe të ndjeshme.
Për mua, ky vlerësim i Kryetarit Krasniqi, pashmangshëm merr edhe dimension të përgjegjësisë dhe ndjeshmërisë së shtuar, sidomos kur e mendoj se po bëhem zëdhënës i një subjekti politik, shumë pjesëtarë të së cilës në orët e liga për Kosovën, ishin zë dhe burim i guximit, themeluan UÇK-në dhe me gatishmëri e përkushtim, së bashku me aleatët ia sollën lirinë vendin tonë.
Kjo përgjegjësi, në këtë detyrë të re, për mua, bëhet edhe më e madhe kur e mendoj se jam bërë zëdhënës i subjektit politik i cili që nga paslufta bart meritën kryesore të shtetndërtimit, zhvillimit dhe demokratizimit të Kosovës, në themelet e së cilës qëndrojnë breza të tërë veprimtarësh, aktivistësh dhe kontribuesish për shtetin dhe kombin.
Siguroj mediat se do të jem në dispozicion të tyre pandalshëm që të vërtetën tonë mbi realitetin në Kosovë dhe jo vetëm, ta transmetojmë bashkë dhe drejtë tek qytetari.
Dua të falënderoj të gjithë kontribuuesit e lirisë tonë, në veçanti ata që padrejtësisht sot janë privuar nga liria dhe nuk janë këtu me ne, duke ju siguruar se puna dhe përkushtimi im, do të jenë në shërbim të interesit nacional, vizionit të subjektit politik, PDK-së dhe kulturës demokratike.
Faleminderit, bashkë, për Kosovën!