Deputeti i Partisë Socialiste të Kosovës Faton Topalli, në deklarimin e pasurisë për këtë vit ka njoftuar se paguhet rreth 76 mijë euro në vit, nga dy punë që kryen.
Deputeti Topalli ka deklaruar se ka një kredi prej afër gjysmë milioni euro në një bankë në Zvicër, të cilën thotë se e ka marrë për financimin e shtëpisë.
Vlera e saktë e kredisë së marrë nga Topalli është 488 mijë 900 franga.
Topalli përveç pagës së deputetit, merr edhe një pagë të lartë vjetore nga një punë që thotë se e kryen në Zvicër. Ai ka deklaruar se merr pagë vjetore prej 65 mijë e 752 franga. Nëse e përkthen në euro, me vlerën e sotme, del që Topalli merr 56 mijë e 415 euro në vit nga puna që thotë se e kryen në Zvicër. 1 frangë në treg tani është e barabartë me 0.8580 Euro.
Ndërsa si deputet i Kuvendit të Kosovës, Topalli ka deklaruar se merr pagë vjetore prej 20 mijë e 329 euro.
Në total, në bazë të deklarimeve në Agjencinë Kundër Korrupsionit, Topalli merr pagë vjetore me vlerë prej 76 mijë e 744 euro.
Për një vit, nëse totalin e pagave të tij e pjesëtojmë me 12 muaj, del që Topalli merr paga prej 6 mijë e 395 euro për muaj.
Pagë vjetore të lartë merr edhe bashkëshortja e tij. Ajo e ka pagën vjetore prej 43 mijë e 834 franga, apo 37 mijë e 609 euro.
Deputeti Topalli, ka deklaruar edhe dy shtëpi me oborr të cilat në total kapin vlerën e 750 mijë eurove, për të cilat thotë se i ka krijuar nga puna që bënë.
Në fund të deklarimit të pasurisë, Topalli thotë se ka shitur një parcelë prej 380 metra katror për 120 mijë euro, por që ende nuk ia ka marrë paratë e shitjes.
Topalli së bashku me gruan, kanë deklaruar se mbajnë para të gatshme 31 mijë e 381 franga zvicerane. Ndërsa, ka deklaruar 1 mijë e 34 euro në një bankë në Kosovë/Kallxo.com.