Instituti për Politika Sociale Musine Kokalari përmes një komunikate për media ka thënë se mënyra sesi dhe sa shpejtë ka reaguar Qeveria e Republikës me subvencionim të një pjese të rritjes së çmimit më shumë sesa që arrin ta zbut pabarazinë e ka për qëllim ta zbut pakënaqësinë. Pra synon ta ndalë reagimin e jo varfërimin.
Tutje thuhet se shtrenjtimi i energjisë elektrike që hyn në fuqi nga sot, bazuar në vendimin e djeshëm të ZRrE-së, do të jetë sfidë e vështirë financiare për qytetarët e Kosovës. Kjo kur kemi parasysh pabarazinë evidente e të shtresëzuar historikisht e të intensifikuar si pasojë e pandemisë.
“Ky vendim i ZRrE-së i ka disa probleme. Së pari nuk duket ta ketë llogaritur si faktor fare përballueshmërinë e çmimit të energjisë për qytetarët e Kosovës. Kjo e shkel një prej parimeve shumë të rëndësishme në të cilin duhet bazuar Furnizimi Universal, e ajo është qasja në energji elektrike. Çmimet e papërballueshme e cenojnë qasjen në energji. Së dyti bllok tarifat, duke u kufizuar vetëm në dy (nën 800 kWh dhe mbi 800 kWh) as nuk paraqesin breze tarifore që do ta rrisnin përballueshmërinë e çmimit e as incentivë konkrete për rritjen e efiçiencës së shfrytëzimit të energjisë. Së treti vendimi i djeshëm, në mungesë të një shpjegimi të logjikës sesi kemi ardhur deri këtu, ta jep përshtypjen e arbitraritetit.
Pas propozimit të parë të tarifave të reja në ZRrE, organizata e institucione të ndryshme kanë dërguar komente. Disa prej tyre kanë kërkuar shtimin e brezeve tarifore në 3 në vend të 2 brezeve. Pastaj ka pasur kërkesa të ulen Të Hyrat Maksimale të Lejuara, të rishqyrtohet marzha e profitit për Furnizuesin duke e shqyrtuar nëse ky i fundit i ka përdorur të Hyrat Maksimale të Lejuara për kontrata afatgjata të blerjes së energjisë elektrike. Ka pasur edhe kërkesa që tarifat e reja të mos jenë diskriminuese dhe rritja e nevojshme të shpërndahet barabartësisht te të gjithë konsumatorët. Nga ZRrE deritash nuk ka kurfarë shpjegimi nëse këto janë marrë parasysh, dhe pse nuk kanë gjetur aplikim ato që nuk janë marrë parasysh. Madje, me përjashtim të Zyres së Presidentes, asnjë prej institucioneve deri më tash nuk ka reaguar për të treguar nëse janë marrë parasysh komentet e tyre.
Këto kërkesa të lartpërmendura, sidomos ato të parashtruara nga Ministria e Financave dhe ajo e Zhvillimit Ekonomik kanë qenë kërkesa konkrete dhe, besojmë, të kalkuluara. Që do të thotë se kanë qenë të zbatueshme. Nëse nuk janë marrë parasysh, pse nuk janë marrë parasysh? Nëse nuk janë marrë parasysh, pse nuk reagojnë?
Mënyra sesi dhe sa shpejtë ka reaguar Qeveria e Republikës me subvencionim të një pjese të rritjes së çmimit më shumë sesa që arrin ta zbut pabarazinë e ka për qëllim ta zbut pakënaqësinë. Pra synon ta ndalë reagimin e jo varfërimin. Sepse pabarazia mbetet. Bllok tarifat e trajtojnë gabimisht konsumin e energjisë sikur tregues të kamjes së qytetarëve. Kush shpenzon më shumë ka më shumë para. Kjo nuk është e vërtetë. Ose nuk është domosdoshmërisht e vërtetë. Sepse ata që nuk kanë alternativa tjera të ngrohjes dhe obligohen që këtë ta bëjnë me energji elektrike, nuk janë shtresat e pasura të Kosovës. Ata që kanë pajisje joefiçiente nuk janë shtresat e pasura të Kosovës. Ata që shpenzojnë më shumë janë ata që kanë nevojë më shumë.
Me Ligjin për Rregullatorin e Energjisë (Neni 15), ZRrE është e obliguar që (pika 1.3.)“ta monitorojë dhe ta përmirësojë sigurinë e furnizimit me energji elektrike, me energji termike dhe me gaz natyror, duke përfshirë edhe sigurimin e mirëmbajtjes dhe ndërtimin e kapaciteteve të nevojshme të gjenerimit, transmetimit e të shpërndarjes, kapacitetin e deponimit dhe kapacitetin e interkoneksionit”. Sipas kësaj ka qenë dhe është detyrë edhe e ZRrE-së të kujdeset që të gjitha hallkat e zinxhirit të sistemit energjetik të jenë të përgatitura të përballen me krizën e paralajmëruar energjetike. Në këtë pikë, ZRrE, Qeveria dhe të gjitha hallkat e këtij sistemi kanë dështuar dhe kanë reaguar shumë vonë. Dhe tash fatura e dështimit të tyre shndërrohet në kosto për qytetarët”.