Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka dënuar tendencat nga Serbia për të shfrytëzuar politikisht rastin e vrasjes së politikanit serb, Oliver Ivanoviq, që ndodhi mëngjesin e sotëm në veri të Mitrovicës.
Duke folur pas mbledhjes së Këshillit të Sigurisë Kombëtare, Haradinaj tha se ky krim është rezultat i rezultat i involvimeve ilegale që ndodhin në veri nga instanca jashtë vendit, raporton Ekonomia Online.
Ai tha se nëse ka nevojë, mund të ftohet për të ndihmuar në hetimin e rastit Byroja Federale e Investigimit (FBI).
“Policia e Kosovës ka marrëdhënie të mira me plot organizata, dhe nëse ka nevojë për ndihmesë do ta ftojmë FBI-në”, tha Haradinaj.
Drejtori i Policisë së Kosovës, Shpend Maxhuni, i cili doli së bashku me Haradinajn para gazetarëve, tha se PK ka ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme, në koordinim me Prokurorinë e Shtetit, për të hetuar këtë rast “të karakterit të profilizuar”.
“Që nga momenti i informimit për gjetjen e një trupi pa ndenja, policia është përfshirë në rast dhe ka ndërmarrë të gjitha hetimet e nevojshme së bashku me prokurorinë. Duke vlerësuar se ky incident është i karakterit të profilizuar, meqenëse kemi të bëjmë më një politikan, kemi kërkuar që me rastin të merret policia e specializuar”, tha Maxhuni.
“Është krijuar një task forcë që ka menaxhuar këtë rast nga fillimi. Për shkak të natyrës së hetimit, nuk mund të japim më shumë detaje, por mund t’ju them se Policia e Kosovës, me përkushtimin më të madh, do bëjë çdo gjë për ta zbardhur këtë rast”.
Ai ka dhënë pak detaje nga hetimet e deritanishme. Ka saktësuar se një veturë e dyshuar është gjetur e djegur. Ajo ka qenë pa targa, por PK ka gjetur informata për pronarin e mëparshëm dhe beson se kjo do të ndihmojë në hetime.
“Çdo automjet që lëviz është i obliguar të ketë targa, kjo veturë ka qenë pa targa. Por në shumë shpejt kemi arritur të kemi në dispozicion informatat e nevojshme për pronësinë e veturës. Ende nuk mund të japim më shumë detaje, por na mjaftojnë që të gjurmojmë”.
Edhe Maxhuni theksoi se PK-ja ka bashkëpunim me agjenci të huaja policore, siç është ajo amerikane – FBI. “Dhe nëse e vlerësojmë se na nevojitet ndihmë për hetime, do ta ftojmë. Por, deri tash nuk e kemi parë të nevojshme”, tha Maxhuni, raporton EO.
Maxhuni u shpreh optimist se rasti do të zbardhet shpejt.