FBI-ja më s’beson që pati të përfshirë tjerë në sulmin në New Orleans

Prishtinë | 02 Jan 2025 | 18:12 | Nga Ekonomia Online

I dyshuari për sulmin me veturë në turmën e njerëzve në New Orleans më 1 janar besohet se veproi i vetëm, është thënë në një konferencë për media të Byrosë Federale të Hetimit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës (FBI).

“Deri në këtë pikë nuk vlerësojmë se dikush tjetër ka qenë i përfshirë në sulm pos Shamsud-Din Jabbarit, i dyshuari për të cilin kemi njoftuar”, ka thënë Christopher Raia, zëvendësasistent në divizionin anti-terrorizëm.

Vetëm 24 orë më parë FBI pati thënë se nuk beson që Jabbari ka vepruar i vetëm.

Në këtë konferencë, Raia e ka quajtur sulmin akt terrorizmi.

Raia ka sqaruar edhe çështjen e numrit të të vdekurve. Siç ka thënë ai, 14 persona janë vrarë nga sulmi, ndërsa i 15-i ka qenë vetë sulmuesi.

Nga sulmi u lënduan edhe më shumë se 30 persona të tjerë.

Autoritetet nuk kanë bërë asnjë arrestim lidhur me sulmin. I dyshuari, ish-ushtaraku amerikan Shamsud-Din Jabbar, u vra gjatë shkëmbimit të zjarrit me zyrtarët policorë.

Të ngjashme