Një miliarder rus, me lidhje me Kremlinin, është marrë në pyetje nga agjentët e FBI-së në lidhje me qindra-mijëra dollarë që dega e kompanisë së tij në SHBA dyshohet se i ka dhënë avokatit personal të presidentit amerikan, Donald Trump, raportojnë mediat.
CNN, duke cituar një burim që “ka dijeni për çështjen”, tha se kryetari i kompanisë Renova Group, Viktor Vekselberg, është marrë në pyetje së bashku me kushëririn e tij, Andrew Intrater, i cili udhëheq degën amerikane të firmës, Columbus Nova, nga agjentë që po hetojnë ndërhyrjen e dyshuar të Rusisë në zgjedhjet presidenciale në ShBA, në vitin 2016.
New York Times më herët raportoi se Vekselberg është marrë në pyetje nga agjentë që punojnë me këshilltarin e posaçëm, Robert Mueller, i cili po heton nëse Rusia është përzier në zgjedhje dhe nëse ka pasur bashkëpunim të fshehtë midis fushatës së Trumpit dhe zyrtarëve rusë.
Sipas njoftimeve të mediave, biznesmenët rusë dyshohet se kanë transferuar rreth 500 mijë dollarë te kompania e avokatit të Trumpit, Michael Cohen, pas zgjedhjeve të vitit 2016.
Avokati i Cohenit nuk iu përgjigj menjëherë kërkesës për koment.