FC Prishtina është shprehur kundër vendimit të Federatës së Futbollit të Kosovës lidhur me mos-zhvillimin e ndeshjeve në stadiumin “Fadil Vokrri”.
Klubi kryeqytetas ka konfirmuar se ka marrë shkresë sot nga FFK, ku mes tjerash thuhet se fusha e stadiumit “Fadil Vokrri” nuk i plotëson kriteret për zhvillimin e ndeshjeve, shkruan Gazeta Express.
Megjithatë, FC Prishtina përmes një letre që i ka dërguar shtëpisë së futbollit kosovar, ka njoftuar se nuk e pranon vendimin dhe se ndeshjet do t’i zhvillojë në stadiumin “Fadil Vokrri” sipas orarit të paraparë nga FFK-ja.
Klubi gjithashtu vendimin e FFK-së e ka vlerësuar si qesharak.
Letra e plotë e FC Prishtinës shkruar FFK-së:
“Konfirmojmë marrjen e shkresës së datës 30.09.2022 me titull: “Gjendja e fushës në stadiumin “Fadil Vokrri”. Kësaj shkrese i mungon raporti i inspektimit, gjithnjë nëse një raport i tillë ekziston. Në fakt, mungesa e këtij raporti është e pritshme sepse në rastet e inspektimit konkluzioni logjik është fusha:
I plotëson kriteret për zhvillimin e ndeshjeve
Nuk i plotëson kriteret për zhvillimin e ndeshjeve
I plotëson kriteret me kusht të përmirësimit 1,2,3…
Shkresa e juaj lë të nënkuptohet se “raporti” i inspektimit të gjendjes së fushës konkludon se:
Fusha i plotëson kriteret nëse zhvillon ndeshje Përfaqësuesja e Kosovës U-17 dhe FC Ballkani, por nuk i plotëson kriteret nëse FC Prishtina zhvillon ndeshje në stadiumin e saj!. Prandaj, ne se klub vlerësojmë se shkresa e dërguar është qesharake dhe na vjen keq për situatën në të cilën ndodhet Federata e Futbollit e Kosovës.
Deri te gjendja e rënduar e fushës së stadiumit ka ardhur për shkak të mungesës së mirëmbajtjes dhe keq-shfrytëzimit të fushës nga ana juaj si lejimi i zhvillimit të ndeshjeve dhe stërvitjeve krejtësisht të panevojshme nga FFK dhe pa asnjë kriter të kategorive të ndryshme të klubeve të futbollit të rajoneve të tjera duke ndikuar në gjendjen e rënduar të fushës.
Në këtë situatë, është obligim i juaji që të gjeni alternativa të tjera për zhvillimin e ndeshjeve të Përfaqësueses U-17 apo FC Ballkanit, mirëpo jo në kurriz të FC Prishtinës gjë të cilën jeni duke e bërë në vazhdimësi.
Ju informojmë se FC Prishtina si shfrytëzues i vetëm ligjor i stadiumit “Fadil Vokrri”, nuk e pranon vendimin duke ju informon se ndeshjet do t’i zhvillojmë në stadiumin “Fadil Vokrri” sipas orarit të paraparë nga FFK-ja.
FC Prishtina sikurse ka vepruar më parë, është e gatshme që ta koordinojë orarin sipas kërkesave të FFK-së dhe FC Ballkanit, gjithsesi për një gjë të tillë, FFK-ja dhe FC Ballkani duhet të dërgojnë kërkesa zyrtare në mënyrë që t’i shqyrtojmë kërkesat tuaja e më pas të vendosim nëse këto ndeshje do të mund të zhvillohen në stadiumin “Fadil Vokrri”, gjithmonë duke mos u dëmtuar FC Prishtina.
Pozicioni jonë është i qartë dhe besojmë fuqishëm që ju si institucion përgjegjës dhe me kapacitet financiar më të madh se të gjitha klubet e Superligës së Kosovës së bashku, do ta gjeni zgjedhjen më të përshtatshme për problemet që ju shoqërojnë.
Me respekt, Bordi Drejtues i FC Prishtina”.