Klubi i futbollit “Prishtina”, ka thënë se e ka marrë me shqetësim të thellë lajmin për vdekjen e Fadil Vokrrit.
Në telegramin e ngushëllimit klubi bardhekaltër nga kryeqyteti thotë se me Vokrrin kishte zgjeruar famën jashtë kufijve të Kosovës, transmeton Koha.net.
“Lajm i hidhur për të gjithë sportdashësit në Kosovë e më gjerë. Sot ka ndërruar jetë futbollisti më i mirë që ka pasur Prishtina, Fadil Vokrri! Futbollisti me të cilën Prishtina kishte zgjeruar famën përtej kufijve të Kosovës. Futbollisti me të cilin mbarë adhuruesit e futbollit shqiptar në ish-Jugosllavi me mburrje do të kujtojnë çdo moment të hapit të tij”, thuhet në telegramin e ngushëllimit të FC Prishtinës.
“Fadil Vokrri, pjesë e skuadrës së Prishtinës së viteve 80-ta, drejtor i klubit gjatë kohës së tranzicionit të statusit të klubit në vitin 2004-2006, dhe tani kryetar i Federatës së futbollit në kohën e pranimit ndërkombëtar, do të kujtohet deri në përjetësi! Bordi i aksionarëve të FC Prishtina, futbollistët e FC Prishtina, të gjithë punonjësit e klubit, shprehin ngushëllimet më të përzemërta familjes Vokrri!”, thuhet më tej në telegram.
Kohëve të fundit FC Prishtina ka pasur kritika të ashpra në adresë të Vokrrit. E akuzonte se qëllimisht nuk kishte lejuar që ndeshja e fundit në mes të Prishtinës dhe Dritës, e cila do të përcaktonte kampionin e Kosovës, të mos luhej në Prishtinë. Edhe Plisat e kishin sharë në kor kreun e Federatës, legjendën e pakontestueshme të klubit nga kryeqyteti.