Federata e Futbollit e Kosovës (FFK) dhe Ministria e Kulturës, Rinisë e Sportit (MKRS) nuk po arrijnë të marrin në menaxhim stadiumin “Adem Jashari”, në të cilin së fundi kanë investuar bashkërisht rreth 1.6 milionë euro.
Dhe nuk dihet nëse do ta marrin, meqë kundër është shfaqur klubi i futbollit Trepça, që aktualisht ka në shfrytëzim pronën e Agjencisë Kosovare të Privatizimit (AKP), shkruan sot Koha Ditore.
Drejtues të FFK-së, të mërkurën, kanë mbajtur një konferencë për media ku kanë bërë apel në adresë të institucioneve shtetërore që sa më parë të zgjidhet çështja e menaxhimit, në të kundërtën kanë paralajmëruar se në mungesë të mirëmbajtjes, do të dëmtohen investimet e bëra muaj më parë.
Sekretari i FFK-së, Eroll Salihu, gjatë konferencës ka theksuar se është shqetësuese se për shkak të borxheve të klubit Trepça ndaj Kompanisë Kosovare për Distribuim dhe Furnizim me Energji elektrike (KEDS), të martën gjatë stërvitjes së përfaqësueses së Kosovës në “Adem Jashari”, është ndërprerë rryma.