Federata e Basketbollit këtë vit nuk do të shpall kampion

Prishtinë | 22 Maj 2020 | 15:53 | Nga Ekonomia Online

Në mbledhjen e vet të rregullt të mbajtur më 19 maj 2020, Bordi i Federatës së Basketbollit të Kosovës (FBK) duke i parë zhvillimet e fundit me pandeminë COVID-19, në bazë të kompetencave të veta statutare të përcaktuara në nenin 21, sot unanimisht ka marrë vendimin në vijim lidhur me rezultatet dhe arritshmërinë në të gjitha kategoritë seniore për stinorin 2019/2020. 

Pas ndërprerjes, pezullimit dhe anulimit të garave të të gjitha kategorive seniore, Bordi Ekzekutiv i FBK-së ka vendosur që në asnjë kategori të mos shpallë kampionë dhe mos akordojë tituj sportivë, por që rangimi përfundimtar momental në garat seniore te meshkujt të merret për bazë ekskluzivisht vetëm për përcaktimin e ngritjes apo rënies nga niveli i garimit, në bazë të Rregullores së Garave të Federatës së Basketbollit të Kosovës dhe Propozicioneve të Garave të për stinorin 2019-2020, si më poshtë: 

KB Lipjani, i ranguar në pozitën e fundit, dhe KB Feronikeli, i ranguar në pozitën e parafundit në Superligë, bien në një rang më të ulët garimi, largohen nga Superliga e Kosovës dhe në edicionin 2020-21 të garojnë në Ligën e Parë të Meshkujve. 

KB Trepça, e ranguar e shtata në Superligë, do të luajë ndeshjet e Play-Outit për të luftuar për ruajtjen e statusit të ekipit garues në Superligën e Kosovës. 

KB Vëllaznimi, i ranguar në vendin e parë në Ligën e Parë, promovohet në një rang më të lartë të garave dhe në edicionin 2020-21 do të bëjë gara në Superligën e Kosovës. 

KB AS Prishtina, e ranguar e dyta në Ligën e Parë, do të zhvillojë ndeshjet e Play-Outit me KB Trepça në luftë për të siguruar statusin e ekipit të fundit të Superligës për stinorin 2020-21. 

www.basketbolli.com 

KB Borea, e ranguar e fundit në Ligën e Parë, largohet nga Liga e Parë dhe në edicionin 2020- 2021 do të garojë në Ligën e Dytë. 

KB NewBasket, i ranguar si i parafundit në Ligën e Parë, do të luajë ndeshjet e Play-Outit për të luftuar për ruajtjen e statusit të ekipit garues në Ligën e Parë. 

KB Megasport, i ranguar në vendin e parë në Ligën e Dytë, promovohet në një rang më të lartë të garave dhe në edicionin 2020-21 do të bëjë gara në Ligën e Parë të Kosovës. 

KB AS Kastrioti, i ranguar si i dyti në Ligën e Dytë, do të zhvillojë ndeshjet e Play-Outit me KB NewBasket në luftë për të siguruar statusin e ekipit të fundit të Ligës së Parë për stinorin 2020-21. 

Të gjitha ndeshjet e Play-Outit sipas këtij vendimi do të luhen në muajin shtator para fillimit të garave të stinorit 2020-21, në orare e afate të cilat do të bëhen të njohura më pas. 

Ky vendim hyn në fuqi në datën e miratimit të tij nga Bordi Ekzekutiv i Federatës së Basketbollit të Kosovës. 

Të ngjashme