Federata e Padelit e Kosovës pranohet në federatën evropiane

Prishtinë | 04 Nën 2022 | 11:42 | Nga Ekonomia Online

Një lajm i mirë ka ardhur në adresën e Federatës së Padelit të Kosovës, e cila është pranuar me te drejta të plota në Federatën Evropiane të Padelit (FEPA).

Pas takimit te Bordit te FEPA-s, aplikimi i Kosovës ka kaluar me sukses, kurse tash e tutje Federata e Padelit e Kosovës do të jetë pjesëmarrëse edhe në Asamblenë Gjenerale, që organizohet nga FEPA.

Anëtarësimi në federatën europiane do t’i hapë dyert për garuesit nga Kosova, për pjesëmarrje në turne të ndryshëm.

Në fund të këtij muaji do të zhvillohet Kampionati Evropian i Padelit që organizohet në Lisbonë të Portugalisë nga data 25 deri me 26 nëntor. Kosova ka pranuar ftesën për dërgimin e dy çifteve në të dyja kategoritë.

Padel është një sport i ri, i ngjashëm me tenisin, që luhet me raketë zakonisht në dyshe në një fushë të mbyllur pak më të vogël se një fushë tenisi për dyshe. Shënimi është i njëjtë me tenisin normal, dhe topat e përdorur janë të ngjashëm, por me pak më pak presion. Dallimet kryesore janë se fusha ka mure dhe topat mund të luhen jashtë tyre.

Një lojë e ngjashme me tenisin, por shumë më e gjallë, me më tepër interaktivitet, por dhe një sport ekipor, sepse përjetimin e plotë e merr duke luajtur në lojë dyshe. 

Në Kosovë, vitin e kaluar, është krijuar Federata e Padelit, falë iniciativës së Besim Shulemajës, që nga një praktikant mendoi ta zhvillonte dhe më tepër, duke krijuar Federatën, por dhe duke synuar përhapjen e tij në Kosovë dhe kudo që ka shqiptarë.

Të ngjashme