Federata e Futbollit e Kosovës ka bërë të ditur se ka parashutuar kërkesë në Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit për t’ia aprovuar planin për rinisjen e sezonit.
Ndeshjet në ligën dhe kupën e Kosovës kanë qenë të pezulluara që nga muaji mars shkaku i masave të ndërmarra nga qeveria për parandalimin e përhapjes edhe më të madhe të virusit Covid-19.
Tani, si të gjitha Federatat e tjera, edhe ajo e Kosovës është duke punuar në përgatitjen e një plani që do ta mundësonte rinisjen e kampionatit, pasi që UEFA u ka dhënë afat deri më 25 maj Federatave të vendosin se çfarë do të ndodhë me kampionatet.
Në tentim për ta marrë këtë vendim, Federata ka kontaktuar edhe Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit dhe Institutin Kombëtar të Shëndetësisë Publike për t’i kërkuar që të aprovohet plani i propozuar nga Federata.
“Është kërkuar nga këto institucione që ta shqyrtojnë edhe një herë mundësinë që futbollit t’i japin dritën e gjelbër për rikthim në aktivitet më herët se sa është planifikuar me masat e reja lehtësuese, duke filluar nga 10 maji me lejimin e ekipeve për stërvitje në grupe, e më pas me fillimin e garave më 24 maj me ndeshjet gjysmëfinale të Digitalb Kupës dhe më 30 maj me ndeshjet e mbetura të kampionatit”, thuhet në njoftimin e publikuar nga FFK-ja.
Presidenti Agim Ademi e theksoi – gjatë takimit me anëtarin e Komitetit Ekzekutiv Ilaz Mjakun, sekretarin Eroll Salihun, trajnerët dhe stafin mjekësor të ekipeve kombëtare dhe ekspertin Ajet Shoshollin – se FFK-ja po bën maksimumin, por se gjithçka varet nga vendimi që do ta marrin autoritetet e vendit.
“Stafi mjekësor i Kombëtares gjatë ditëve të ardhshme do të jetë në kontakt të vazhdueshëm me Institutin Kombëtar të Shëndetësisë Publike, në mënyrë që të krijohet një protokoll se si të veprohet për çdo ndeshje dhe për masat që do të ndërmerren në rast të rifillimit të garave, e që më pas do t’u jepen udhëzimet e nevojshme stafeve mjekësore të klubeve”, thuhet më tutje një njoftimin e FFK-së.