Dështoi konstituimi i Kuvendit të Kosovës edhe në vazhdimin e sotëm të seancës, që ishte ndërprerë më 15 prill. Edhe kësaj here, seanca u ndërpre dhe do të vazhdojë të shtunën , më 19 prill, në orën 12:00, raporton Ekonomia Online.
Kryesuesi i seancës konstituive, Avni Dehari, tha se gjatë konsultimeve me përfaqësuesit e partive politike, nuk kishte konsensus se si të shkohet përpara.
PDK, LDK dhe AAK fajësuan Vetëvendosjen se me ndërprerjen e seancave po tenton të blejë kohë për pazare politike, pasi sipas tyre, kjo parti nuk i ka votat për të zgjedhur as kryeparlamentarin, as Qeverinë.
Nga ana tjetër, Lëvizja Vetëvendosje po e akuzon opozitën për bllokim të konstituimit të Kuvendit.
Lumir Abdixhiku: Seanca u ndërpre pa të drejtë dhe kundër Rregullores së Kuvendit
Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, tha se kryesuesi i seancës konstituive të Kuvendit, Avni Dehari, e ndërpreu seancën pa të drejtë dhe kundër Rregullores së Kuvendit.
Ai tha seanca nuk duhej ndërprerë pasi kishte kuorum të mjaftueshëm për votim dhe duhej të vazhdohej me pikën e parë të rendit të ditës, miratimin e Raportit për Verifikimin e Mandateve.
“Qytetarët e kanë shumë qartë kush janë bllokuesit e vërtetë. Kryesuesi që rastis të jetë më i vjetri në moshë, rastisi të jetë nga partia e parë, veproi kundër Rregullores së Kuvendit, kundër praktikës kushtetuese, pa të drejtë ndërpriti seancën e sotme ndonëse kishte kuorum të mjaftueshëm, ndonëse kishte kushte për votimin… Është për keqardhje kjo praktikë bllokuese për institucionin më të lartë. Kjo është shkelje e rëndë, praktikë e rëndë, është sjellje e mbrapshtë politike”, u shpreh Abdixhiku.
Memli Krasniqi: Vetëvendosje po blen kohë edhe 48 orë për të bërë pazaret
Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, pas dështimit të seancës, ka thënë se Lëvizja Vetëvendosje në mënyrë të organizuar ka ardhur për ta penguar skenarin, duke krijuar një kaos të madh.
“Partia që ka qenë e para në mënyrë të organizuar kanë ardhur për të penguar skenarin, ja ku e keni skenarin. Është krijuar një kaos i madh, dhe të drejtat për të arritur qëllimet partiake janë shkelur. Ata, që nuk kanë shumicë, i ftoj që të mos e mbajnë kushtetutën e Kosovës dhe raportet kushtetuese, por të vijnë në seancë dhe të votojnë. Nuk mund të sillen me këtë shpërfillje, është për keqardhje, por pati një shpërfaqje të një fakti që ata nuk kanë shumicë parlamentare dhe dëshirojnë të blejnë kohë edhe 48 orë për të bërë pazaret e tyre,” ka thënë Krasniqi.
Time Kadrijaj: Vetëvendosje po e pengon konstituimin e Kuvendit
Deputetja e AAK-së, Time Kadriaj, tha se Lëvizja Vetëvendosje po e pengon konstituimin e Kuvendit.
“Nuk ka pasur nevojë, sepse një raport i tillë ka ardhur në seancë dhe me shumicë votash është votuar. Kemi pritur qe seanca të vazhdojë në pikën që ka ngelur. Ne pritëm që të ketë votim dhe të konstatojë sa deputet janë prezentë dhe pas numërimit të tregojë që po e mbyllin seancën dhe seanca tjetër të jetë pas 48 orëve që nuk është ligjore.
“Nga kryesuesi u kërkua që të formohet ndoshta edhe një komision tjetër ad hoc, gjë që e kundërshtuam, për shkak se ka qenë një komision ad hoc, komisioni e ka kryer punën e tij. Sot është dashur të vazhdojë aty ku kemi ngelur. Kaq kanë të drejtë, kaq është dashur të bëhet dhe jo të thirren konsulta dhe të kërkohet të formohet një komision i ri. Qëndrimet i kemi të njëjta, kjo qeveri ka bërë shkelje, po vazhdon të shkelë kushtetutën’’, tha Kadrijaj.
Albulena Haxhiu: Duhet të shohim se cila është mënyra e duhur për të proceduar më tej
Nga ana tjetër, nënkryetarja e Lëvizjes Vetëvendosje, Albulena Haxhiu tha se nuk mundën që të gjejnë zgjidhje për konstituimin e Kuvendit të Kosovës.
Ajo tha se letra e presidentes Vjosa Osmani e ka kërkuar këtë, ndërsa shtoi se në një zgjidhje ’mund të vinin pa pasur konsultime.
“Ne sot ishim të gatshëm për zgjidhjet e mundshme që mund t’i kemi para vetes. Unë isha e pranishme në këtë takim”, tha Haxhiu, duke pretenduar se duan ta korrigjojnë mosvotimin e raportit të komisionit të përkohshëm për verifikimin e kuorumit dhe mandateve.
Duhet të shohin se cila është mënyra e duhur për të proceduar tutje dhe për këtë tha se ishin të gatshëm të propozonin edhe mënyra. Haxhiu përsëriti se një situatë e tillë nuk parashihet as me Kushtetutë dhe as me ligjet e vendit”, tha Haxhiu.
Kurti u shmanget pyetjeve për dështimin e vazhdimit të seancës konstituive
Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, iu shmang pyetjeve të gazetarëve për dështimin e vazhdimit të sotëm të seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës.
Ai nuk iu përgjigj pyetjeve se a janë duke mundur t’i bëjnë votat.