Federer pëson eliminim tronditës në US Open, mposhtet nga Dimitrov

Prishtinë | 04 Sht 2019 | 09:11 | Nga Ekonomia Online

Pesëm herë kampioni Roger Federer është eliminuar nga US Open pas disfatës kundër tenistit bullgar Grigor Dimitrov, i cili fitoi në mënyrë dramatike kundër legjendës zvicerane.

38-vjeçari Roger Federer i kishte fituar të shtatë përballjet e mëparshme mes atyre të dyve, mirëpo Dimitrovi luftoi shumë dhe arriti ta fitojë ndeshjen me sete 3-6 6-4 3-6 6-4 6-2, transmeton Gazeta Express.

Federer, të cilit iu nevojit trajtim për një lëndim në shpinë gjatë pjesës së fundit të ndeshjes, tha: “E ndjeva lëndimin gjatë gjithë kohës, por pata mundësi që të vazhdoj të luaj”.

Në anën tjetër, 28-vjeçarin Dimitrov tani e pret rusi Daniil Medvedev në fazën çerekfinale.

“Ishte e qartë se në pjesën e fundit ai nuk ishte në momentin e tij më të mirë. I përdora të gjitha mundësitë që i pata”, u shpreh bullgari.

I 78-i në rangimin botëror, Dimitrov, me fitoren e tij siguroi që në finale, që zhvillohet të shtunën, do të jetë të paktën një tenist që e arrin finalen e US Open për herë të parë në karrierë.

Ndërsa, për Federerin ky është viti i dytë radhazi që eliminohet nga US Open nga tenistë që janë jashtë top 50-shes së botës, pasi vitin e kaluar u eliminua nga australiani John Millman në fazën e 16 më të mirëve.

Pas ndeshjes kundër Dimitrovit, 20-herë fituesi i Grand Slams bëri të ditur se ai kishte pasur probleme me shpinë gjatë gjithë ndeshjet.

“Ndihem keq. Jam i zhgënjyer që e gjitha ka marrë fund sepse e ndiej se kam luajtur mirë. Është një mundësi e humbu. Mendoj se nëse do ta kisha kaluar këtë, pastaj do të kisha pushuar për dy ditë”, shtoi Federer.

Largimi i Federerit bën që rivali i tij më i madh, Rafael Nadal, tani të jetë favorit për këtë titull, pasi që kampioni në fuqi, Novak Djokovic, gjithashtu hoqi dorë nga gara për shkak të një lëndimi në ndeshjen kundër Stan Wawrinkas.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme