A e dini se cili është sekreti më i madh i diktatorit Enver Hoxha? Ajo ishte princesha e Shqipërisë, motra e Mbretit Zot, princesha Maxhide. Ishte Enver Hoxha ai që ia arriti që ta joshte Princeshën Maxhide, aq sa ajo të bëhej e dashura e tij dhe ta shikonte atë si njeriun me të cilin parapëlqente të martohej.
Në kohën që Enver Hoxha ishte mësues në Liceun e Korçës, mes tyre pati një letërkëmbim të dendur. Mbreti Zog ishte dakord që motra e tij të martohej me Enver Hoxhën dhe pas të gjitha gjasave fejesa do të shpallej në pranverën e vitit 1939, por u shty për shkak të problemeve të njohura që pati Zogu në atë periudhë, shkruan Albeu.com.
Kur Italia invadoi Shqipërinë, dhe Zogu me familjen e tij iku në Greqi duke kaluar nga Korça, Princesha Maxhide i kërkoi Enverit të saj që të vinte me të në mërgim, për t’ u rikthyer pastaj në Shqipëri, çka sipas saj do të ndodhte shpejt.
Sipas të dhënave, Enver Hoxha shkoi me konvojin mbretëror shqiptar deri në kufirin greko-turk, ku pastaj u arratis, duke u fshehur në Greqi, për t’ u kthyer pak ditë më pas në Shqipëri. Enver Hoxha ndërroi mendje kur pa se ata nuk po shkonin në Selanik ku do t’ i merrte një anije britanike që do t’ i çonte në Londër, siç ishte thënë kur u nisën, por po shkonin në Stamboll.
Në këtë moment, Enver Hoxha, me nuhatjen e tij natyrale, falë së cilës do të mbijetonte më pas, e kuptoi se Zogun e kishin abandonuar fuqitë e mëdha, dhe se jetën në mërgim me princeshën e shfuqizuar nuk do t’ ia kishte lakmi kurrkush. Kështu që, pasi mori një sasi të mirë parash nga Princesha e tij, u kthye në Shqipëri. Enver Hoxha dhe Princesha Maxhide nuk u panë më kurrë, ose së paku nuk u takuan.
Por Princesha Maxhide do të vazhdonte që ta torturonte Enver Hoxhën deri në vdekje, në mënyrën e saj. Që prej vitit 1939 e deri sa vdiq rreth gjysmë shekulli më pas, Enver Hoxha do të jetonte me frikën e zbulimit të letërkëmbimit të tij me motrën e Zogut, që do ta shkatërronte politikisht atë.
Gjetja dhe zhdukja e letrave të shumta që ai i kishte dërguar Princeshës Maxhide u bë obsesioni i jetës së tij. Letrat sigurisht që i ruante princesha e cila jetonte në mërgim pranë të vëllait. Në vitet e fundit të jetës së Enver Hoxhës, kur ky e humbte shpesh vetëkontrollin, ata që i rrinin përreth e dëgjonin të thoshte ndonjëherë:
Dërgoni lule tek varri i Maxhidesë! Njerëzit e Enver Hoxhës mendonin se fjala ishte për ndonjë të afërme të tij nga Gjirokastra, të cilën ai kërkonte që ta respektonte.
Kështu që kërkuan dhe gjetën një kushërirë të tij me emrin Maxhide, e cila kishte vdekur në vitet njëzet në Gjirokastër dhe i dërgonin lule tek varri. Por Maxhidja për të cilën e kishte fjalën Enver Hoxha e kishte varrin në Cannes të Francës. Princesha vdiq në tetor, në të njëjtin muaj që kishte lindur edhe Enver Hoxha.