Kryesuesi i bordit të ZRrE-së Ymer Fejzullahu, ka sqaruar drejtpërdrejtë se si pritet të bëhet llogaritja e çmimit të faturave me tarifat e reja për energjinë elektrike.
“ZRrE ka paraqitur kalkulatorin ku secili konsumator në bazë të konsumit, mund t’i vendosin në A1 kilovatët që kanë shpenzuar gjatë ditës dhe në A2 kilovatët që kanë shpenzuar gjatë natës. Nëse supozojmë, ta zëmë 600 kwh ditën dhe 200 kwh natën, janë rreth 50 euro. Për konsumin mbi 800 kwh, 800 kwh e parë do të faturohen me tarifat ekzistuese, ndërsa diferenca, po supozojmë nëse i kemi 1000 kwh, diferenca prej 200 kwh orë do faturohet me tarifën 12 centë gjatë ditës dhe 6 centë gjatë natës. Nëse i shpenzojn 801 kwh vetëm 1 kwh do të faturohet me tarifat e reja”, ka shpjeguar Fejzullahu.
Sipas tij, ata që shpenzojnë mbi 800 kw, janë përfituesit më të mëdhenjë nga subvencionimi i propozuar nga qeveria.
Kjo siç thotë ai, sepse ata përfitojnë edhe në bllokun deri në 800kw, e njëkohësisht do të marrin zbritjen edhe për kilovatorë që shpenzojnë në bllokun mbi 800.
“100 për qind të konsumatorëve do të subvencionohen. Edhe konsumatorët që shpenzojnë deri në 800 do të subvencionohen me 9 për qind. Të gjithë konsumatorët përfitojnë nga kjo zbritje. Bizneset do të kenë 0 rritje dhe konsumatorët deri në 800 kwh, zero rritje. Edhe ata që konsumojnë mbi 800, prej 21 centë siç ka qenë propozimi do të faturohen me 12 centë dhe 6 centë siç është vendimi i sotëm i ZRrE”, ka shpjeguar tutje ai në Klan Kosova.
“Ata që shpenzojë mbi 800kwh janë përfituesit më të mëdhenjë nga ky subvencionim, për arsye se ata përfitojnë edhe në bllokun deri në 800, edhe mbi bllokun mbi 800. Që do të thotë përfituesit më të mëdhenjë janë konsumatorët që konsumojnë mbi 800 kwh”, ka shtuar Fejzullahu.