Duke i vënë në plan të parë konceptet feministe dhe zhvillimet e tyre në Kosovë, festivali i vetëm në vend i kësaj natyre, këtë vit do të mbledhë 200 artiste dhe aktiviste.
Gjatë gjashtë ditëve, “FemArt” mëton që të shërbejë si platformë për inkurajimin e grave dhe burrave, të cilëve u shkelen të drejtat elementare, shkruan sot “Koha Ditore”. Këtë vit, në edicionin e 6-të, do t’i zbërthejë këto koncepte dhe ide përmes 40 aktiviteteve.
Me moton “Ti udhëheq”, “FemArt”, kësaj radhe, përveç Prishtinës do t’i shtrijë aktivitetet edhe në Ferizaj e në Mitrovicën e veriut. Duke filluar prej të së premtes për gjashtë ditë, publiku do të ketë mundësi të bëhet pjesë e shfaqjeve teatrale, koncerteve, ekspozitave, filmave dhe debateve të ndryshme, të cilat do të trajtojnë në një formë apo tjetrën temën e feminizmit. Artiste nga 15 vende të ndryshme të botës do të mblidhen në Kosovë për t’u bërë pjesë e kësaj ngjarjeje.
Festivali do të hapet me premierën e shfaqjes “Trojanet”, e cila vjen si produksion i teatrit “LaMama” në New York në bashkëpunim me qendrën për art dhe komunitet “Artpolis”. Po ajo në ditët në vazhdim të festivalit do të shfaqet edhe në Mitrovicën e Veriut dhe në Prizren.
Nga gjithsej 14 shfaqje dhe performanca teatrale sa do të shfaqen gjatë këtij edicioni të “FemArt”, do të jetë edhe “Natën, Ma” nga teatri “Metopol” nga Shqipëria nën regji të Ema Andreas, më pas është shfaqja “Kali i bardhë” nga Rumania nën regji të Ioana Paun e të tjera. Mysafire speciale e festivalit do të jetë këngëtarja Akua Naru nga ShBA-ja.