“FemArt” lë gjurmë me muralin për fuqinë e gruas

Prishtinë | 31 Maj 2018 | 09:07 | Nga

I ngjyrosur në njërin prej mureve të Pallatit të Rinisë, nga pjesa e Stadiumit, një mural – që pasqyron gruan tek shkëlqen e udhëheq midis telasheve – është mesazhi që “FemArt” ia ka lënë qytetit në ditën e përmbylljes së edicionit të sivjetmë.

I realizuar sipas motos së edicionit të sivjetmë “Run the show” (Ti udhëheq), me punë vullnetare nga nëntë studente të Fakultetit të Arteve, murali shumëngjyrësh u inaugurua të mërkurën, në ditën e fundit të edicionit të gjashtë të festivalit të vetëm të natyrës feministe në vend. Të shumta e të ndryshme ishin aktivitetet që u mbajtën për gjashtë ditë në kuadër të “FemArt”, festival që në këtë edicion mblodhi 200 pjesëmarrës. Një punëtori, një panel diskutimi me të rinjtë për paqen dhe aktivizmin, performanca mysafire nga Walesi, “Daughter” dhe krejt në fund koncerti me mysafiren speciale nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Akua Naru, shënuan ditën e fundit të “FemArtit”.

Inaugurimi i muralit “Run the show” nxori në pah edhe telashet me të cilat janë përballur organizatorët e festivalit për të marrë leje që të ngjyrosin hapësirën që paraprakisht ishte e mbushur me shkarravine e mesazhe seksiste.

Jeta Berisha, zyrtare për komunikim në “Artpolis”, që organizon festivalin, ka thënë se krahas përkrahjes nga Drejtoria për Kulturë e Komunës së Prishtinës, leje është marrë edhe nga Pallatit i Rinisë dhe po ashtu Agjencia Kosovare e Privatizimit.

Nëntë studente të Fakultetit të Artit, të drejtimeve të pikturës, skulpturës e dizajnit grafik, e kanë realizuar muralin, me mentore artisten Rudina Xhaferi.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme