Prindër nga Kosova kanë nisur të ndjekin shembullin e atyre të Shqipërisë duke “braktisur” fëmijët e tyre në vendet e BE-së, shkruan sot Koha Ditore.
Nga të dhënat statistikore, vetëm në Itali janë në proces integrimi 7.580 të rinj nën moshën madhore, dhe mes tyre numri më i lartë janë nga Shqipëria, ndërsa që një pjesë më e vogël nga Kosova. Ndërkohë që 1600 fëmijë shqiptarë të pashoqëruar enden rrugëve të Italisë.
Mediat italiane kanë publikuar mënyrën se si emigrantët shqiptarë kanë filluar të gjejnë një rrugë alternative për të përfituar leje qëndrimi në vendet e Bashkimit Evropian. Tashmë shqiptarët nga Shqipëria, por edhe ato nga Kosova po përdorin ato që quhen fëmijë “të pashoqëruar”, duke bërë kështu automatikisht që ata të përfitojnë lehtësira si në shkollim, akomodim, por edhe marrjen e shtetësisë me mbushjen e moshës madhore.
Metoda që përdoret është ajo ku prindërit nisen së bashku me fëmijët e tyre drejt vendeve të BE-së, por në kthim i lënë minorenët atje duke ditur se ligji favorizon qëndrimin e tyre.