Rremat i lëviz me të dyja duart dhe me krejt fuqinë e një trembëdhjetëvjeçari. I ulur në dërrasën e vendosur në mes të barkës, Mentor Ibrahimi mundohet të balancojë shpejtësinë me valët e liqenit.
Prapa tij ulen dy fëmijë. Tre të tjerë në anën tjetër të barkës për të mbajtur ekuilibrin. Para se të nisin lundrimin sigurohen se gjithçka është në rregull.
Të martën e kësaj jave ata nuk kishin dalë të lundronin për qejf. As për të zënë peshk. Po ktheheshin nga shkolla, shkruan sot “Koha Ditore”.
Nxënësi i klasës së tetë të shkollës fillore “Zahir Pajaziti” në fshatin Orllan të Podujevës së bashku me katërmbëdhjetë fëmijë të tjerë të fshatit, e “këpusin” dy herë në ditë me barkë Liqenin e Batllavës, pesë ditë të javës.
“Në mësim shkojmë dhe kthehemi me barkë, se për të ecë nga ana tjetër, rruga është shumë e gjatë. I bëjmë më shumë se një orë në këmbë dhe rruga është thuajse e pakalueshme”, thotë Mentori, gjersa u jep lopatave prej druri. Si më i madhi ndër fëmijët lundërtarë, Mentori e merr përsipër barrën e shtyrjes së rremave thuajse çdo ditë